Tottenham ka zhgënjyer sërish në Ligën Premier, duke barazuar 0-0 si mysafir ndaj Nottingham Forest në kuadër të xhiros së tretë. Skuadra e Roberto De Zerbit pas tre ndeshjeve të para të kampionatit ende nuk ka arritur të shënojë asnjë gol.
Pas 270 minutash futboll në ligë, Spurs vazhdojnë të jenë në kërkim të golit të parë dhe, mbi të gjitha, të fitores së parë. Sezonin e nisën me një humbje të thellë 3-0 në udhëtim ndaj Brentfordit, ndërsa në xhiron e dytë u mposhtën 2-0 nga Newcastle në stadiumin e tyre.
As përballja e tretë nuk solli ndryshimin e shumëpritur. Tottenham nuk arriti të gjejë rrjetën ndaj Nottingham Forest dhe nga City Ground u largua vetëm me një pikë.
Pas tri xhirove, skuadra londineze ka vetëm një pikë, me golaverazh 0:5. Kjo do të thotë se Tottenham jo vetëm që nuk ka fituar asnjë ndeshje, por ende nuk ka shënuar në kampionat.
Situata është edhe më befasuese duke parë investimet e mëdha të klubit gjatë afatit kalimtar të verës. Tottenham shpenzoi 354.7 milionë euro për përforcime, duke bërë një rindërtim të rëndësishëm të skuadrës.
Sandro Tonali u transferua nga Newcastle për 108 milionë euro, Mateus Fernandes nga West Ham për 99 milionë euro, Sávio nga Manchester City për 87.7 milionë euro, ndërsa Jan Paul van Hecke nga Brighton për 60 milionë euro.
Përveç tyre, në skuadër mbërritën edhe Andy Robertson, Marcos Senesi dhe Martin Dúbravka, të gjithë si lojtarë të lirë. Megjithatë, investimi i madh deri më tani nuk është reflektuar aspak në rezultatet e Tottenhamit në Ligën Premier.
Spurs arritën një fitore bindëse 5-1 ndaj Charltonit në Kupën e Ligës, por situata në kampionat është krejtësisht ndryshe. Në tri ndeshje, skuadra nuk ka shënuar asnjë gol dhe ka marrë vetëm një pikë.
Tottenham po has probleme të mëdha në fazën sulmuese dhe deri tani ka treguar shumë pak rrezikshmëri përpara portës kundërshtare. Pavarësisht përforcimeve të shumta dhe shpenzimeve të afro 355 milionë eurove, ekipi i De Zerbit vazhdon të jetë pa fitore dhe pa gol në Ligën Premier.
Në fund, Tottenham gjatë verës e shiti edhe mbrojtësin kroat 19-vjeçar Luka Vuskovic te Brighton, pas paraqitjeve të mira gjatë huazimit te HSV. Sot, Vuskovic shënoi golin e tij të parë në Ligën Premier në barazimin 1-1 të Brightonit ndaj Leedsit, duke realizuar me kokë./Telegrafi/






