Një 40-vjeçar ka humbur jetën këtë të shtunë pasi ka rënë në një humnerë në zonën e Lëpushës, në Kelmend.
Viktima është identifikuar si Florian Sini.

Sipas Policisë së Shtetit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:52, kur autoritetet janë njoftuar se një person dyshohej se kishte rënë në një humnerë në fshatin Lëpushë.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar se 40-vjeçari kishte humbur jetën si pasojë e dëmtimeve të marra nga rënia.
“Rreth orës 10:52, Policia është njoftuar se shtetasi F. S., rreth 40 vjeç, dyshohet se ka rënë në një humnerë, në fshatin Lëpushë, Kelmend. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se, si pasojë e dëmtimeve të marra, 40-vjeçari ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Alpinizmit dhe Turizmit Malor ka shprehur ngushëllime për familjarët dhe miqtë e Sinit, duke e cilësuar ngjarjen si një aksident tragjik.
Grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.





