Dhjetë klubet me shpenzimet më të mëdha në afatin kalimtar veror 2026 – një befasi në top 10

Sport

Afati kalimtar veror në ligat më të forta evropiane tashmë është mbyllur, ndërsa klubet kanë shpenzuar shuma të mëdha për të përforcuar skuadrat e tyre. Edhe këtë verë, klubet e Premier Ligës kanë dominuar në listën e shpenzuesve më të mëdhenj, ndërsa në mesin e dhjetë klubeve që kanë investuar më së shumti gjenden vetëm […]

Madhësia e shkronjave

Afati kalimtar veror në ligat më të forta evropiane tashmë është mbyllur, ndërsa klubet kanë shpenzuar shuma të mëdha për të përforcuar skuadrat e tyre.

Edhe këtë verë, klubet e Premier Ligës kanë dominuar në listën e shpenzuesve më të mëdhenj, ndërsa në mesin e dhjetë klubeve që kanë investuar më së shumti gjenden vetëm tre ekipe jashtë Anglisë.

Në krye të renditjes është Manchester City, i cili ka shpenzuar plot 526 milionë euro gjatë këtij afati kalimtar.

Manchester City është klubi që ka shpenzuar më së shumti gjatë afatit kalimtar veror, duke investuar rreth 526 milionë euro në përforcime të reja.

Skuadra ka forcuar ndjeshëm mesfushën me ardhjen e Enzo Fernández, Elliot Anderson dhe Ayyoub Bouaddi. Për Anderson dhe Fernández janë shpenzuar shuma që kalojnë 100 milionë euro.

City, që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin në vendin e dytë pas Arsenalit, ka bërë investime të mëdha me synimin për t’u rikthyer në krye.

Chelsea renditet në vendin e dytë me rreth 406 milionë euro të shpenzuara gjatë verës.

Blerja më e madhe e klubit londinez është Morgan Rogers, për të cilin raportohet se janë paguar mbi 130 milionë euro. Në skuadër kanë mbërritur gjithashtu Geovany Quenda, Denner, Dastan Satpaev, Maxence Lacroix dhe Danny Welbeck. Edhe pse u pagua pak, Emiliano Martinez, po konsiderohet si super goditje.

Megjithatë, Chelsea ka realizuar edhe shitje të rëndësishme. Enzo Fernández është larguar drejt Manchester Cityt për 145 milionë euro, ndërsa largimet e Andrey Santos, Nicolas Jackson, Marc Cucurella dhe Liam Delap i kanë sjellë klubit të ardhura të konsiderueshme.

Tottenham ka qenë gjithashtu shumë aktiv në afatin kalimtar, duke realizuar disa transferime të mëdha.

“Spurs” kanë investuar 108 milionë euro për Sandro Tonalin, 100 milionë euro për Mateos Fernandes dhe 87 milionë euro për Savinhon, i cili u transferua nga Manchester City.

Nga ana tjetër, një nga shitjet më të mëdha ishte ajo e Luka Vušković te Brighton për 55 milionë euro.

Newcastle ka bërë ndryshime të mëdha në skuadër, duke shitur disa prej emrave më të rëndësishëm.

Sandro Tonali, Bruno Guimarães dhe Anthony Gordon i kanë sjellë klubit rreth 270 milionë euro, ndërsa nga ana tjetër janë realizuar disa blerje të rëndësishme.

Matias Fernandez-Pardo është transferuar nga Lille për rreth 60 milionë euro, Nico Gonzalez nga Manchester City për 56 milionë euro dhe Bazoumana Traoré nga Hoffenheim për 50 milionë euro.

Aston Villa renditet në mesin e klubeve që kanë qenë më aktive në afatin kalimtar, pavarësisht se ka humbur disa prej lojtarëve të saj kryesorë.

Morgan Rogers është larguar drejt Chelseat, Ollie Watkins ka vazhduar karrierën në Arabinë Saudite, ndërsa Ezri Konsa është transferuar te Arsenali. Nga skuadra është larguar edhe mesfushori Youri Tielemans, i cili ka kaluar te Manchester United.

Aston Villa ka synuar të rindërtojë ekipin me ardhjen e Johan Manzambit dhe Nicolas Jackson.

Liverpooli ka regjistruar një nga bilancet më negative në këtë afat kalimtar, me një deficit prej rreth 233 milionë eurosh.

“Reds” kanë përfituar vetëm rreth 30 milionë euro nga shitja e Curtis Jones te Interi, ndërsa kanë shpenzuar shuma të mëdha për përforcime.

Bradley Barcola është transferuar për 125 milionë euro, Jérémy Jacquet nga Rennes për 63 milionë euro dhe Víctor Muñoz nga Osasuna për 40 milionë euro.

Pas titullit të fituar sezonin e kaluar, Arsenali ka vazhduar të përforcojë skuadrën.

“Topçinjtë” kanë sjellë Bruno Guimarães nga Newcastle dhe Ezri Konsan nga Aston Villa, duke forcuar ndjeshëm repartet e tyre për sezonin e ri.

Real Madridi zë vendin e tetë në listën e klubeve që kanë shpenzuar më së shumti, një pozicion disi i pazakontë për gjigantin spanjoll.

Blerja më e shtrenjtë është Yann Diomande, për të cilin “Los Blancos” kanë paguar 125 milionë euro.

Në skuadër kanë mbërritur gjithashtu Marc Cucurella, Denzel Dumfries dhe Bernardo Silva, ndërsa Gonzalo Garcia dhe Cesar Palacios janë larguar për një shumë të raportuar prej 50 milionë eurosh.

Surpriza e madhe në mesin e dhjetë klubeve që kanë shpenzuar më së shumti është Ipswich Town.

“Tractor Boys” kanë investuar shumë për të forcuar skuadrën pas ngjitjes në Ligë Premier , duke sjellë disa lojtarë për shuma të konsiderueshme.

Një nga emrat që pritet të ketë rol të rëndësishëm është Julio Enciso, i cili synon të jetë një nga shtyllat kryesore të skuadrës gjatë këtij sezoni.

Barcelona e mbyll listën e dhjetë klubeve që kanë shpenzuar më së shumti gjatë verës.

Skuadra katalanase ka realizuar disa transferime të mëdha, me Rodrin që konsiderohet një nga përforcimet kryesore. Në “Camp Nou” kanë mbërritur gjithashtu Anthony Gordon dhe Gabriel Jesus.

Nga ana tjetër, një nga largimet më të rëndësishme ka qenë ai i Ferran Torres drejt PSG-së, për një shumë të raportuar prej rreth 50 milionë eurosh.