Shitja e cigareve elektronike pranë shkollave, IQMT realizon 18 inspektime dhe shqipton gjoba

Nacionale

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në bizneset që ndodhen pranë institucioneve arsimore. Gjatë ditës së sotme, ekipet e IQMT-së kanë realizuar 18 inspektime në disa rajone të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Fushë […]

Madhësia e shkronjave

Me fillimin e vitit të ri shkollor, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në bizneset që ndodhen pranë institucioneve arsimore.

Gjatë ditës së sotme, ekipet e IQMT-së kanë realizuar 18 inspektime në disa rajone të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Fushë Kosovën, Rahovecin, Istogun, Shtimen dhe Podujevën.

Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm të cigareve elektronike nga shitja në subjektet afariste pranë shkollave.

Për mosrespektim të dispozitave ligjore dhe urdhrave të inspektorëve, janë shqiptuar 3 gjoba, ndërsa gjatë aksionit janë realizuar edhe 2 sekuestrime.

IQMT ka bërë të ditur se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rajonet e Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së të miturve dhe krijimit të një mjedisi më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit.

Në kuadër të këtyre masave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë rastet e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, sidomos në afërsi të institucioneve arsimore.

Raportimet mund të bëhen në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit përmes platformës Viber, në numrin +383 46 311 000. /Telegrafi/