Një ngjarje e rëndë tronditi Times Square në New York, ku një grua dyshohet se sulmoi me thikë dy persona në një incident që policia e cilësoi si “të rastësishëm dhe të paprovokuar”.
Një grua 32-vjeçare humbi jetën në spital nga plagët e marra, ndërsa viktima tjetër, një burrë 68-vjeçar, u dërgua në spital me plagë të rënda dhe ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Sipas policisë, dy sulmet ndodhën brenda vetëm 20 sekondash, pranë kryqëzimit të 41st Street me Seventh Avenue, transmeton Telegrafi.
Autoritetet thanë se e dyshuara, 49-vjeçarja Pamela Cisneros, kishte nxjerrë dy thika nga çanta dhe kishte sulmuar fillimisht burrin, i cili sapo kishte dalë nga metroja dhe po priste të kalonte rrugën me bashkëshorten.
Më pas, ajo vazhdoi drejt 42nd Street dhe sulmoi gruan e dytë.
Pas ngjarjes, e dyshuara u largua drejt një pike policie. Oficerët e ndoqën për rreth katër minuta dhe i kërkuan disa herë të hidhte thikën, por ajo refuzoi dhe, sipas policisë, kërcënoi se do t’i vriste edhe ata.
Policia përdori fillimisht Taser-at, përpara se dy efektivë të qëllonin me armët e shërbimit. Cisneros u dërgua në spital, ku më pas u shpall e vdekur.
Komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, tha se e dyshuara kishte një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor dhe theksoi se incidenti nuk dyshohet të ketë lidhje me terrorizmin.
Dy thika u sekuestruan nga vendi i ngjarjes, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit. /Telegrafi/






