Galatasaray ka kërkuar informacione nga Milani për mesfushorin francez Youssouf Fofana, gjatë negociatave që klubet po zhvillojnë për transferimin e Rafael Leaos, raporton gazetari i njohur Fabrizio Romano.
Kampionët e Turqisë po shqyrtojnë mundësinë për ta transferuar edhe Fofanan në Stamboll, duke e parë 27-vjeçarin si një përforcim të rëndësishëm për mesfushën.
Sipas Romanos, Fofana është i disponueshëm për një transferim në formë huazimi dhe Galatasaray po konsideron seriozisht të bëjë një ofertë për të.
Mesfushori francez raportohet se do ta mirëpriste një transferim në Stamboll, duke e parë Galatasarayn si një mundësi për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Fofana iu bashkua Milanit në vitin 2024 nga Monaco dhe ka kontratë me klubin italian deri në qershor të vitit 2028.
Ai gjithashtu është pjesë e kombëtares së Francës, për të cilën ka regjistruar 21 paraqitje që nga debutimi me ekipin e parë në vitin 2022. /Telegrafi/






