Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë ka vendosur lidhur me kërkesën referuese të Pjetër Shalës, duke i shpallur një pjesë të ankesave të tij të papranueshme, ndërsa për pjesën tjetër ka konstatuar se nuk ka pasur shkelje të të drejtave të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe konventat ndërkombëtare.
Sipas komunikatës për shtyp të Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktgjykimi është lëshuar më 23 tetor 2026, ndërsa njoftimi është publikuar të hënën, më 26 tetor.
Shala kishte pretenduar se gjatë procesit penal ndaj tij ishin shkelur të drejtat e tij individuale, përfshirë të drejtën për gjykim të drejtë, parimin e ligjshmërisë dhe të drejtën për t’u informuar në mënyrë efektive për akuzat.
Një nga pretendimet e Shalës lidhej me kohën e kaluar ndërmjet krimeve të përfshira në aktakuzë dhe gjykimit të tij. Për këtë çështje, Dhoma konstatoi se ai kishte përfituar nga një proces gjyqësor ballafaques.
Sipas njoftimit, ajo vlerësoi se “procesi, si i tërë, kishte qenë i drejtë dhe joarbitrar”.
Shala kishte kundërshtuar gjithashtu pranimin dhe përdorimin e deklaratave të dhëna më parë para Tribunalit Penal për ish-Jugosllavinë dhe Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, kur ishte marrë në pyetje si i dyshuar pa përfaqësues ligjor.
Për këtë çështje, Dhoma vuri në dukje se Shalës i ishin dhënë mundësi të shumta për t’i kundërshtuar deklaratat dhe përdorimin e tyre, ndërsa kundërshtimet ishin trajtuar nga panelet penale.
Ajo theksoi se njëra nga deklaratat nuk ishte përdorur në gjykim, ndërsa të tjerat nuk kishin qenë vendimtare për shpalljen e tij fajtor.
Shala kishte pretenduar edhe se ndërmarrja kriminale e përbashkët dhe krimi i luftës i ndalimit arbitrar nuk ishin të përcaktuara mjaftueshëm me ligj në kohën përkatëse.
Megjithatë, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se këto forma të përgjegjësisë dhe veprës penale kishin bazë në të drejtën zakonore ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, burimet përkatëse ligjore ishin të disponueshme shumë kohë para kryerjes së krimeve dhe ishte e parashikueshme që Shala mund të mbahej penalisht përgjegjës mbi këto baza.
Gjykata shqyrtoi edhe pretendimet e tij për mungesë të hollësive të mjaftueshme në aktakuzë lidhur me anëtarët e ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe identitetin e viktimave. Ajo konstatoi se informacioni i dhënë i kishte mundësuar atij t’i kuptonte akuzat dhe të përgatiste mbrojtjen.
Shala kishte kundërshtuar edhe bazën ligjore të shkallëzimit të dënimit dhe kishte pretenduar se dënimi i shqiptuar ishte i tepruar në krahasim me raste të ngjashme.
Për pretendimin lidhur me krahasimin e dënimeve, Dhoma e shpalli ankesën të papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike.
Ndërsa për zbatimin e ligjit mbi dënimet, ajo rikujtoi se Dhomat e Specializuara funksionojnë në bazë të kornizës së tyre ligjore dhe se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përcakton rregullat për shqiptimin e dënimeve.
Aktgjykimi i plotë është publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. /Telegrafi/