Trajnime profesionale falas në Gjilan, nga 1 shtatori hapen gjashtë profile

Rajon

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se të rinjtë dhe qytetarët e Rajonit të Gjilanit do të kenë mundësi të ndjekin trajnime profesionale pa pagesë në Qendrën për Aftësim Profesional (QAP) në Gjilan. Sipas njoftimit të ministrisë, grupet e reja të trajnimeve do të fillojnë më 1 shtator 2026, ndërsa […]

Madhësia e shkronjave

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka njoftuar se të rinjtë dhe qytetarët e Rajonit të Gjilanit do të kenë mundësi të ndjekin trajnime profesionale pa pagesë në Qendrën për Aftësim Profesional (QAP) në Gjilan.

Sipas njoftimit të ministrisë, grupet e reja të trajnimeve do të fillojnë më 1 shtator 2026, ndërsa qytetarët do të mund të aftësohen në gjashtë profile profesionale.

“Trajnimet janë pa pagesë, profesionale dhe të përshtatura me nivelin dhe nevojat e tregut të punës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Profilet në të cilat do të zhvillohen trajnimet janë kontabiliteti, dizajni grafik, kuzhinieria, rrobaqepësia, metalpunimi dhe saldimi, si dhe zdrukthëtaria.

Ministria ka bërë të ditur se pjesëmarrësit që përfundojnë me sukses trajnimin dhe plotësojnë kriteret e vlerësimit do të pajisen me certifikatë.

“Pjesëmarrësit që përfundojnë me sukses trajnimin dhe plotësojnë kriteret e vlerësimit pajisen me certifikatë, duke dëshmuar aftësimin e tyre në profesionin përkatës”, thuhet në njoftim.

Referimi dhe aplikimi bëhet përmes Zyrave të Punësimit në Gjilan, Kamenicë dhe Viti.

Për informacione dhe aplikim, qytetarët mund të kontaktojnë Zyrën e Punësimit në Gjilan në numrin +383 280 440 057, Zyrën e Punësimit në Kamenicë në +383 280 372 383 dhe Zyrën e Punësimit në Viti në +383 280 381 084.

Ndërkaq, Qendra për Aftësim Profesional në Gjilan mund të kontaktohet në numrin +383 280 310 230. Qendra ndodhet në rrugën “Vjosa” 108, në Gjilan.

Sipas ministrisë, aftësitë e fituara përmes këtyre trajnimeve synojnë t’u krijojnë pjesëmarrësve mundësi më të mira për punësim, zhvillim profesional dhe integrim në tregun e punës. /Telegrafi/