Një rrëshqitje dheu në një vendgrumbullim mbeturinash në Guine ka shkaktuar vdekjen e 30 personave dhe ka plagosur disa të tjerë.
Sipas zyrtarëve qeveritarë, shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan shembjen e një grumbulli të madh mbeturinash.
Rrëshqitja e dheut varrosi dhjetëra kasolle pranë vendgrumbullimit dhe shkatërroi disa shtëpi. Të paktën gjashtë persona raportohet se kanë pësuar lëndime të rënda.
Në një deklaratë, qeveria bëri të ditur se janë angazhuar burime të konsiderueshme njerëzore dhe materiale për kërkimet, me qëllim gjetjen dhe shpëtimin e personave që mund të jenë ende të bllokuar nën rrënoja, si dhe nxjerrjen e trupave të viktimave.
Autoritetet deklaruan gjithashtu se janë marrë masat e nevojshme për t’u ofruar kujdes mjekësor të lënduarve dhe ndihmë personave të prekur nga tragjedia.
Vetëm disa ditë para incidentit, qeveria kishte urdhëruar evakuimin e banorëve që jetonin pranë vendgrumbullimit, për shkak të rrezikut të shembjes.
Shumë prej tyre u larguan nga zona, por, sipas autoriteteve lokale, një numër i konsiderueshëm banorësh ndodheshin ende aty në momentin kur ndodhi katastrofa.






