Selvije Jao, bashkëshortja e të ndjerit Shpat Kasapi, feston ditëlindjen, por këtë herë kjo ditë vjen me një dhimbje të veçantë, pas humbjes së bashkëshortit të saj.
Në Instagram, ajo ka publikuar një video nga një prej ditëlindjeve të mëparshme, kur Shpati ishte pranë saj dhe e surprizonte në ditën e saj të veçantë.

“Sado angazhime të kishe, sado momente të vështira të kishim kaluar, edhe kur jeta na sfidonte aq shumë, ti prapë nuk e harroje këtë ditë. Ti prapë dije si ta bëje ditën time festë”, ka shkruar Selvija.
Ajo tregon se gjatë kësaj dite ka pritur ende që Shpati të kthehej, sikur gjithçka të ishte vetëm një moment i keq: “E sot, gjithë ditën kam pritur të vish, të hapet dera e të më thuash: ‘Surprizë, Selvo, ishte thjesht një shaka e hidhur. Po ti nuk erdhe”.
Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, pas një ataku kardiak gjatë qëndrimit të tij në Itali.
Ai la pas bashkëshorten Selvijen dhe djalin e tyre, Roelin. Pas humbjes së tij, Selvija ka ndarë herë pas here në rrjetet sociale kujtime dhe dedikime për këngëtarin, duke shprehur mallin dhe boshllëkun që ka lënë pas mungesa e tij.
Në mesazhin e saj të ditëlindjes, Selvija ka folur edhe për dhimbjen që nuk duket pas pamjes së jashtme: “Sot të gjithë mund të më shohin të fortë. Të rregulluar. Të buzëqeshur. Të ‘prezantueshme’. Por askush nuk e di sa shumë jam duke vdekur përbrenda çdo ditë”.
“Sot është ditëlindja ime, Shpat. Por pa ty, kjo ditë nuk është më si dikur. Më mungon më shumë se çdo fjalë që mund të shkruaj”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/





