Përforcimi i madh i Real Madridit këtë verë, Yan Diomande, dha një intervistë për SportyTV, në të cilën foli për mënyrën se si ndodhi transferimi i tij, telefonatën e Jose Mourinhos dhe zbuloi këshillën që mori nga Didier Drogba pasi u bë e ditur ardhja e tij në klubin mbretëror.
Lojtari thotë se është “krenar dhe i lumtur, sepse ëndrra e tij është bërë realitet”. Qëllimi i tij ka qenë gjithmonë të bëhet futbollisti më i mirë në botë dhe ai vazhdon të punojë drejt këtij synimi. Ai e përshkruan veten si modest, por “plot vetëbesim”.
Ai nuk do ta harrojë kurrë reagimin e tij kur mësoi se Reali dëshironte ta transferonte.
“Ishte si një ëndërr, sepse nuk ka klub më të madh se ky. Që kur e mora vesh, nuk mund të flija. Nuk mund ta besoja se çfarë po ndodhte. Fola me Junin dhe më pas me trajnerin. Ai më habiti, sepse foli frëngjisht”.
“Mourinho u zgjua në orën 5:00 të mëngjesit vetëm për të folur me mua. Kjo më tregoi se sa i rëndësishëm isha për të. Kur të telefonon Real Madridi, thjesht nuk mund të thuash ‘jo’, kështu që i thashë: ‘Nëse më do, po vij’”, tha Diomande.
Ai gjithashtu kujtoi fjalët e para që Mourinho i kishte thënë.
“Sapo mbërrita, ai më tha: ‘Të premtova se do të ishe pjesë e ekipit tim dhe ja ku je’. Unë iu përgjigja: ‘Jam i kënaqur që punoj me ty, sepse je më i miri’. Mund të mësoj shumë prej tij. Ai është trajneri i duhur për zhvillimin tim të mëtejshëm. Jam gati të vdes për të në fushë”, tha Diomande.
Është interesante të kujtojmë se Diomande debutoi si profesionist pikërisht kundër Real Madridit, në “Santiago Bernabeu”.
“Është vullneti i Zotit. Unë besoj në Zot dhe është vërtet një rastësi e madhe. Dua vetëm ta shijoj çdo ditë. Nga ajo ndeshje mbaj mend se shkëmbyem fanellat me Mbappen dhe sot ndajmë dhomën e zhveshjes dhe qeshim së bashku”.
“Nuk do ta harroj kurrë Leganesin, sepse ishte klubi i vetëm që më dha mundësinë të tregoja atë që di”, shtoi ai në fund./Telegrafi/






