Kapiteni i Real Madridit, Federico Valverde, ka refuzuar disa oferta nga klube të tjera gjatë kësaj vere, pasi dëshiron të vazhdojë karrierën në Santiago Bernabeu, raporton MARCA.
Pas përplasjes së bujshme në stërvitje me Aurelien Tchouameni sezonin e kaluar, u raportua se njëri prej mesfushorëve kryesorë të Real Madridit mund të largohej nga klubi.
Megjithatë, Tchouameni rinovoi kontratën me “Los Blancos”, pavarësisht interesimit nga Manchester United, ndërsa edhe Valverde u përball me disa oferta për të vazhduar karrierën diku tjetër.
Sipas MARCA, mesfushori uruguaian dhe tashmë kapiteni i parë i Real Madridit i ka mbyllur menjëherë të gjitha mundësitë për një transferim, pa i marrë seriozisht në konsideratë ofertat e paraqitura.
Valverde është i fokusuar te vazhdimi i karrierës në Madrid dhe pritet të ketë një rol të rëndësishëm edhe nën drejtimin e trajnerit Jose Mourinho.
Para ndeshjes hapëse të La Ligës ndaj Espanyolit, Valverde pritet të luajë në një dyshe në mesfushë së bashku me transferimin e ri, Bernardo Silva.
Megjithatë, Mourinho ende nuk e ka përcaktuar pozicionin ideal të uruguaianit, pasi ai mund të përdoret në disa role.
Përveç mesfushës, Valverde mund të aktivizohet edhe në krahun e djathtë të sulmit, si dhe në pozitën e mbrojtësit të djathtë.
Vendimi i tij për të refuzuar ofertat e tjera tregon edhe një herë rëndësinë që Valverde i jep Real Madridit, ku tashmë ka marrë edhe shiritin e kapitenit të parë./Telegrafi/






