SHBA-ja dhe Kanadaja në bisedime të minutës së fundit për të shmangur tarifat 50 për qind

Bota

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë përfshirë në bisedime të minutës së fundit për të parandaluar vendosjen e tarifave të reja prej 50 për qind ndaj produkteve kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë. Tarifat e kërcënuara nga presidenti amerikan Donald Trump pritet të hyjnë në fuqi në orën 00:01 sipas kohës lindore të SHBA-së […]

Madhësia e shkronjave

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja janë përfshirë në bisedime të minutës së fundit për të parandaluar vendosjen e tarifave të reja prej 50 për qind ndaj produkteve kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë.

Tarifat e kërcënuara nga presidenti amerikan Donald Trump pritet të hyjnë në fuqi në orën 00:01 sipas kohës lindore të SHBA-së të mërkurën, nëse dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje.

Kryeministri kanadez Mark Carney u tha gazetarëve të hënën se negociatat janë duke vazhduar, duke i cilësuar ato si “shumë intensive dhe delikate”, ndërsa nuk pranoi të jepte detaje për përmbajtjen e tyre.

Carney dhe Trump zhvilluan një bisedë telefonike të hënën pasdite, në një përpjekje të minutës së fundit për të gjetur një zgjidhje. Dy vendet kanë pasur prej vitesh mosmarrëveshje tregtare, veçanërisht për lëndën drusore dhe qasjen në tregun e produkteve të qumështit, por kanë mbetur aleatë të rëndësishëm.

Masat e reja tarifore do të preknin një gamë të gjerë produktesh kanadeze, ndërsa marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë veçanërisht të rëndësishme për Kanadanë. Rreth 72 për qind e eksporteve të mallrave kanadeze vitin e kaluar u drejtuan drejt tregut amerikan.

Kufiri prej rreth 8,525 miljesh mes dy vendeve është ndër më të ngarkuarit në botë, me qindra mijëra njerëz dhe mallra me vlerë miliarda dollarë që kalojnë çdo ditë.

Qasja e ashpër e Trumpit ndaj Kanadasë përbën një ndryshim të madh në marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti amerikan ka përdorur tarifat si mjet për të nxitur prodhimin në SHBA dhe ka përsëritur edhe idenë që Kanadaja të bëhet “shteti i 51-të” amerikan.

Në Kanada, kjo retorikë ka shkaktuar reagime të forta. Një peticion për largimin e ambasadorit amerikan në Kanada, Pete Hoekstra, ka mbledhur afro 218 mijë nënshkrime që nga 21 korriku. Nënshkruesit e akuzojnë ambasadorin se ka normalizuar retorikën për aneksimin e Kanadasë.

Pavarësisht përplasjeve, analistët besojnë se as Uashingtoni dhe as Ottawa nuk kanë interes që tarifat e reja të hyjnë në fuqi.

Tarifat zakonisht paguhen fillimisht nga importuesit amerikanë dhe më pas mund të reflektohen në çmimet për konsumatorët. Kjo mund të jetë veçanërisht problematike për administratën amerikane përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor, në një kohë kur kostoja e jetesës mbetet një shqetësim për votuesit.

“Nuk mendoj se asnjëra palë dëshiron vërtet që këto tarifa të hyjnë në fuqi”, tha Ryan Majerus, ish-zyrtar tregtar i SHBA-së dhe partner në King & Spalding.

Sipas tij, ekziston një shtytje e fortë nga të dyja palët për të gjetur një rrugëdalje nga përshkallëzimi tregtar.

Në kuadër të negociatave, SHBA-ja po i bën presion Kanadasë që të blejë më shumë pajisje ushtarake amerikane, përfshirë avionë luftarakë F-35, t’i bashkohet sistemit të mbrojtjes raketore “Golden Dome” të propozuar nga Trump dhe të zgjerojë qasjen amerikane në mineralet kritike, me synim uljen e varësisë nga Kina.

Kanadaja, ndërkohë, kërkon lehtësim nga tarifat ekzistuese amerikane ndaj çelikut, aluminit dhe lëndës së butë drusore, për të cilat Uashingtoni pretendon se janë të subvencionuara në mënyrë të padrejtë.

Trump rikthen në përdorim një ligj të vitit 1930

Për të justifikuar tarifat prej 50 për qind, Trump i është referuar Aktit të Tarifave të vitit 1930 dhe Seksionit 338 të tij, një dispozitë që nuk është përdorur më parë.

Kjo dispozitë i jep presidentit amerikan mundësinë të vendosë tarifa deri në 50 për qind ndaj vendeve që konsiderohen se diskriminojnë bizneset amerikane, pa kërkuar një hetim paraprak dhe pa një afat skadimi.

Trump ka akuzuar Kanadanë për diskriminim ndaj automjeteve, alkoolit dhe djathit amerikan, ndërsa ka shprehur pakënaqësi edhe për kundërmasat kanadeze ndaj tarifave të mëparshme amerikane.

Kërcënimi për tarifa të reja vjen në një periudhë veçanërisht të ndjeshme, pasi Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada, që rregullon një pjesë të madhe të tregtisë në Amerikën e Veriut, pritet të rinegociohet.

“Nuk mund ta rinegociosh atë me një luftë masive tregtare që po zhvillohet”, tha Christopher Gundermann nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Në Kanada, megjithatë, presioni i brendshëm politik mund të kufizojë hapësirën e manovrimit të Carney-t.

Shkencëtari politik Daniel Béland nga Universiteti McGill paralajmëroi se Kanadaja “nuk mund të duket sikur thjesht po dorëzohet”, duke theksuar se lëshimet e njëanshme mund të shkaktojnë reagim të fortë në vend dhe të krijojnë perceptimin se Ottawa është e dobët përballë presionit amerikan.

Ndërkohë, ministri kanadez i Tregtisë, Dominic LeBlanc, u takua të hënën me përfaqësuesin amerikan të Tregtisë, Jamieson Greer, por pas takimit tha vetëm se “puna po vazhdon”.

Me afatin për vendosjen e tarifave që po afrohet, të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje që do të shmangte një përshkallëzim të ri tregtar mes dy aleatëve të Amerikës së Veriut./Telegrafi.