Pakti i mbrojtjes i Turqisë me Arabinë Saudite dhe Pakistanin vë në provë NATO-n?

opinion

Nga: Liram Koblentz-Stenzler dhe Bradley Martin Për më shumë se 75 vjet, NATO ka funksionuar mbi një premisë të thjeshtë: anëtarët e saj ndajnë një sistem të vetëm të mbrojtjes kolektive. Turqia tani ka nënshkruar një të dytë. Në nëntor 2024, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi “kapacitetet e fuqishme mbrojtëse” të Turqisë, […]

Madhësia e shkronjave

Nga: Liram Koblentz-Stenzler dhe Bradley Martin

Për më shumë se 75 vjet, NATO ka funksionuar mbi një premisë të thjeshtë: anëtarët e saj ndajnë një sistem të vetëm të mbrojtjes kolektive. Turqia tani ka nënshkruar një të dytë.

Në nëntor 2024, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, vlerësoi “kapacitetet e fuqishme mbrojtëse” të Turqisë, duke theksuar pozitën e saj si ushtria e dytë më e madhe në NATO dhe duke nënvizuar se industria e fuqishme turke e mbrojtjes kontribuon në një aleancë më të fortë. Turqia ka qenë prej kohësh një nga fuqitë më të rëndësishme ushtarake të NATO-s.

Tani Ankaraja ka nënshkruar një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë me Arabinë Saudite dhe Pakistanin, të cilin ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, e përshkroi si “teknikisht të njëjtë” me Nenin 5 të NATO-s: sulmi i armatosur ndaj njërit duhet të trajtohet si sulm ndaj të gjithëve. Zyrtarët turq këmbëngulin se pakti i ri e plotëson NATO-n, në vend që të konkurrojë me të.

Ndoshta. Por, aleancat nuk vihen në provë në kohë paqeje. Ato vihen në provë kur detyrimet i tërheqin aleatët në drejtime të ndryshme. Pyetja nuk është më nëse Turqia mbetet aleate e rëndësishme e NATO-s. Pyetja është se çfarë ndodh kur një anëtar i NATO-s merr përsipër detyrime në kuadër të dy marrëveshjeve të ndryshme të mbrojtjes kolektive – dhe kur këto detyrime fillojnë të bien ndesh me njëra-tjetrën.

Kjo marrëveshje mund të shënojë fillimin e një faze të re në sigurinë e Lindjes së Mesme. Për dekada me radhë, fuqia rajonale është projektuar kryesisht përmes organizatave ndërmjetëse. Turqia tani duket se po çon përpara një model tjetër – një model të ndërtuar mbi bashkëpunimin mes shteteve sovrane.

Arabia Saudite kontribuon me burime financiare dhe ndikim në fushën e energjisë. Pakistani sjell një nga ushtritë më të mëdha në botë dhe kapacitetet bërthamore. Turqia sjell ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s dhe një industri të mbrojtjes gjithnjë e më të sofistikuar. Egjipti, nëse bashkohet, do të shtonte një tjetër fuqi të madhe ushtarake.

Ndryshe nga organizatat proksi, shtetet sovrane nuk mund të shpallen thjesht grupe terroriste, të izolohen përmes sanksioneve apo të trajtohen si të përjashtuara nga bashkësia ndërkombëtare. Ato negociojnë traktate, ndërtojnë industri të mbrojtjes, zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe riformësojnë ekuilibrat rajonalë të fuqisë.

Ky ndryshim ngre një pyetje më të menjëhershme: çfarë saktësisht u ka premtuar Turqia Arabisë Saudite dhe Pakistanit?

Në letër, marrëveshja i angazhon anëtarët e saj për parandalim kolektiv, mbrojtje të ndërsjellë dhe bashkëpunim më të ngushtë ushtarak. Por, implikimet e saj strategjike mbeten qëllimisht të paqarta. Neni 5 i NATO-s mbështetet në dekada planifikimi të integruar ushtarak, institucione të përbashkëta dhe një kuptim të përbashkët të kërcënimeve me të cilat përballet aleanca. Marrëveshja e re e Turqisë shtrihet në një rajon ku këto premisa nuk ekzistojnë.

Kjo krijon gjithashtu angazhime të mbivendosura të sigurisë. Pyetja nuk është nëse Turqia mund të jetë pjesë e dy marrëveshjeve të mbrojtjes në kohë paqeje. Pyetja është se çfarë ndodh kur këto angazhime fillojnë ta tërheqin atë në drejtime të ndryshme.

Le të shqyrtojmë tre skenarë krejtësisht të mundshëm.

Një luftë tjetër Indi-Pakistan mund ta përfshijë Turqinë në një konflikt në kuadër të angazhimeve të saj të reja. Një sulm i madh iranian ndaj Arabisë Saudite mund ta shtyjë Riadin të aktivizojë marrëveshjen. Ose një përballje ushtarake mes Turqisë dhe Izraelit mund ta vendosë Uashingtonin në pozitën e paprecedentë të menaxhimit të një krize që përfshin si një aleat të NATO-s, ashtu edhe një nga partnerët më të afërt strategjikë të Amerikës në Lindjen e Mesme. Asnjëri prej këtyre skenarëve nuk e aktivizon automatikisht Nenin 5 të NATO-s. Por, secili prej tyre ngre pyetje të vështira se si angazhimet e mbivendosura të sigurisë do të ndikonin në vendimmarrjen e aleatëve gjatë një krize rajonale.

Retorika që e shoqëron marrëveshjen e bën më të vështirë shpërfilljen e këtyre skenarëve. Pak pasi marrëveshja u nënshkrua, ministri pakistanez i Mbrojtjes, Khawaja Asif, e përshkroi Izraelin si shtet “jolegjitim”, e quajti kërcënim për botën myslimane dhe bëri thirrje për krijimin e një “fronti të bashkuar ushtarak” kundër tij. Në një intervistë të fundit për CNN Türk, Fidani e përshkroi Izraelin si “një barrë që njerëzimi nuk mund ta durojë më”. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka përdorur vazhdimisht retorikë nxitëse ndaj Izraelit, përfshirë deklaratat për të cilat kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli i merr “shumë seriozisht”.

Asgjë nga këto nuk do të thotë se marrëveshja është e destinuar të shndërrohet në një bllok ushtarak të drejtuar kundër ndonjë vendi të caktuar. As nuk do të thotë se NATO do të përfshihej automatikisht në një konflikt rajonal. Por, kjo do të thotë se një nga anëtarët më të fuqishëm të NATO-s ka pranuar angazhime të reja të mbrojtjes kolektive, pasojat e ardhshme të të cilave mbeten të papërcaktuara. Vetëm kjo pasiguri meriton shumë më tepër vëmendje nga sa i është kushtuar deri tani.

Çështja për NATO-n nuk është se Turqia ka partneritete jashtë aleancës. Shumë anëtarë të NATO-s kanë të tilla. Çështja është se Turqia ka marrë përsipër detyrime të mbrojtjes kolektive në kuadër të një marrëveshjeje të dytë të sigurisë, kërkesat e ardhshme të së cilës mund të mos përputhen gjithmonë me ato të vetë NATO-s.

Mosmarrëveshja lidhur me blerjen nga Turqia të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400 tregoi gatishmërinë e Ankarasë për të pranuar përplasje brenda NATO-s kur ajo besonte se këtë e kërkonin interesat e saj strategjike. Pakti i ri i mbrojtjes i Turqisë ngre një pyetje me pasoja më të mëdha: Çfarë ndodh nëse mosmarrëveshjet e ardhshme kanë të bëjnë me vetë mbrojtjen kolektive?

Mbetet për t’u parë nëse kjo marrëveshje, në fund, do të rezultojë simbolike apo transformuese. Por, NATO u krijua për të ofruar qartësi në momente krize. Tani ajo përballet me një pyetje që themeluesit e saj nuk e kishin parashikuar kurrë: si duhet të reagojë aleanca kur një nga anëtarët e saj merr përsipër, jashtë NATO-s, angazhime të ngjashme me ato të Nenit 5? Kjo pyetje nuk duhet të marrë përgjigje nga vetë zhvillimi i ngjarjeve. NATO duhet të qartësojë që tani se si do të menaxhohen angazhimet e mbivendosura të mbrojtjes kolektive dhe si do të trajtohen konfliktet e mundshme ndërmjet marrëveshjeve paralele të mbrojtjes. Aleancat janë më të forta kur angazhimet e tyre janë të qarta. Koha për t’i përcaktuar këto rregulla është përpara – jo gjatë – krizës së parë që do t’i vërë ato në provë. /Telegrafi/