Aleanca ka paralajmëruar se do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurori lidhur me 18 vendimet e marra nga Qeveria në detyrë më 12 gusht, me të cilat janë themeluar 18 komisione për procedura emërimi në agjenci ekzekutive e qeveritare dhe pozita publike.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, në një konferencë për media të hënën i ka cilësuar këto vendime si të kundërligjshme. Sipas tij, Qeveria në detyrë nuk ka mandat për të nisur procedura të reja për emërime në pozita publike.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë 18 vendime duke themeluar 18 komisione, dikund me njerëz të njëjtë, për me i emëru në agjenci ekzekutive, në agjenci qeveritare, në një pozitë si sekretar permanent, në një kohë kur kjo qeveri është në detyrë dhe pa legjitimitet”, tha Tahiri.

Ai iu referua edhe Ligjit për Qeverinë, duke pretenduar se me këto veprime po shkelen kufizimet që vlejnë për një qeveri në detyrë.
Tahiri kërkoi që vendimet për themelimin e komisioneve të anulohen menjëherë, ndërsa paralajmëroi se personat që janë pjesë e këtyre procedurave duhet të jenë të kujdesshëm, pasi Aleanca synon ta dërgojë çështjen në Prokurori përmes kallëzimit penal.
“Nuk guxojmë asnjë qeveri, e as kjo që nuk ka legjitimitet, ta kthejë administratën e shtetit në funksion të një partie”, deklaroi ai.
Krahas çështjes së 18 komisioneve, Tahiri tha se Aleanca do të ngrejë edhe raste të tjera, që sipas tij lidhen me shkelje të ligjit, përfshirë ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga deputetët e betuar.
Ai gjithashtu përsëriti qëndrimin e Aleancës se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur për të martën nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Tahiri bëri të ditur se Grupi Parlamentar i Aleancës do të zhvillojë takim për të diskutuar hapat e mëtejmë politikë të partisë lidhur me këto çështje. /Telegrafi/





