Pavarësisht se Chelsea nuk do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve këtë sezon, pasi nuk arriti të kualifikohej në garat evropiane, stadiumi ‘Stamford Bridge’ mund të presë sërish ndeshje të kompeticionit më prestigjioz për klube në Evropë.
“Blutë” e mbyllën sezonin e kaluar në vendin e 10-të dhe, si rrjedhojë, mbetën jashtë Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.

Megjithatë, Stamford Bridge mund të shndërrohet në shtëpinë evropiane të një klubi tjetër. Kampioni i Ukrainës, Shakhtar Donetsk, e ka përzgjedhur stadiumin e Chelseat si opsionin e preferuar për zhvillimin e ndeshjeve të tij si vendas në Ligën e Kampionëve.
Shakhtari është detyruar të luajë jashtë stadiumit “Donbas Arena” që prej vitit 2014, pas aneksimit të Donetskut të mbështetur nga Rusia. Që atëherë, klubi ukrainas ka zhvilluar ndeshjet vendase në Kiev dhe Lviv, ndërsa përballjet evropiane i ka luajtur në shtete të ndryshme, përfshirë Gjermaninë, Slloveninë dhe Poloninë.
Sipas BBC Sport, aktualisht po zhvillohen negociata mes palëve. Chelsea dhe Shakhtari kanë një marrëdhënie të afërt, e cila u forcua edhe pas transferimit të Mykhailo Mudrykut te klubi londinez në vitin 2023. Chelsea gjithashtu kishte organizuar më herët ndeshjen bamirëse “Game4Ukraine”.
Në garë për të pritur ndeshjet e Shakhtarit kanë qenë edhe ‘Craven Cottage’ i Fulhamit dhe ‘Gtech Community Stadium’ i Brentfordit, por kapaciteti më i madh i ‘Stamford Bridge’, rreth 40 mijë ulëse, duket se e favorizon stadiumin e Chelseat.
Londra është gjithashtu shtëpi e një komuniteti të madh ukrainas, me rreth 32 mijë ukrainas që jetojnë në kryeqytet dhe mbi 100 mijë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë, marrëveshja ende nuk është finalizuar. Për të realizuar këtë skenar, nevojitet miratimi i Këshillit të Hammersmith dhe Fulhamit, si dhe i UEFA-s, për zhvillimin e ndeshjeve shtesë në Stamford Bridge./Telegrafi/





