Detaje të reja rreth zjarreve në Kroaci – shumë të lënduar, disa me djegie deri në 60 për qind të trupit

Bota

Zjarri i madh që përfshiu Omishin e Kroacisë dhe zonat përreth ka lënë 40 persona të lënduar, ndërsa 14 prej tyre janë hospitalizuar në Spitalin e Splitit. Shtatë pacientë ndodhen në respirator, mes tyre gjashtë të rritur dhe një 17-vjeçar, u bë e ditur gjatë një konference për media, shkruan index.hr. Të lënduarit kanë pësuar […]

Madhësia e shkronjave

Zjarri i madh që përfshiu Omishin e Kroacisë dhe zonat përreth ka lënë 40 persona të lënduar, ndërsa 14 prej tyre janë hospitalizuar në Spitalin e Splitit.

Shtatë pacientë ndodhen në respirator, mes tyre gjashtë të rritur dhe një 17-vjeçar, u bë e ditur gjatë një konference për media, shkruan index.hr.

Të lënduarit kanë pësuar kryesisht djegie, por ka edhe raste të dëmtimeve nga thithja e tymit dhe trauma të shkaktuara gjatë evakuimit. Te pacientët me djegie të rënda, sipërfaqja e prekur e trupit varion nga 15 deri në 60 për qind.

Autoritetet shëndetësore po shqyrtojnë mundësinë e transferimit të disa pacientëve në spitale të Zagrebit, për shkak të numrit të madh të të lënduarve.

Mjekët kanë theksuar se pacientët nuk do të transferohen nëse nuk janë në gjendje stabile.

Sa i përket 17-vjeçarit, mjekët thanë se ai është lënduar rëndë, por aktualisht nuk është në rrezik për jetën. Mes të lënduarve ka kryesisht shtetas kroatë, por edhe dy shtetas të huaj, një gjerman dhe një polak.

Shërbimet mjekësore në Split janë përforcuar gjatë natës, me mjekë që janë kthyer edhe nga pushimet për të ndihmuar në trajtimin e të lënduarve.

Mjekët e përshkruan reagimin e sistemit shëndetësor si të jashtëzakonshëm dhe theksuan se të gjitha shërbimet funksionuan në mënyrë të koordinuar.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të ekspozuar ndaj tymit që të mos krijojnë panik dhe të mos drejtohen menjëherë në spital nëse nuk kanë simptoma serioze. Ata këshillohen fillimisht të kontaktojnë mjekët ose shërbimet emergjente në terren, të cilat do të vlerësojnë nëse nevojitet trajtim spitalor. /Telegrafi/