Prokurori: I dyshuari Sali e pranoi se ishte rekrutuar nga BIA

Nacionale

Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh. Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, në një deklaratë për media tha se nga provat që kanë siguruar është vërtetuar dyshimi i bazuar se Sali ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA, ndërkaq vetë […]

Madhësia e shkronjave

Prokuroria Speciale e Kosovës tashmë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Fehim Salit, i dyshuar për spiunazh.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, në një deklaratë për media tha se nga provat që kanë siguruar është vërtetuar dyshimi i bazuar se Sali ka qenë i rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent Serb – BIA, ndërkaq vetë i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.

“Sot, Prokuroria Speciale ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Fehmi Sali. Nga provat që kemi siguruar nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë edhe me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, kemi vërtetuar dyshimin e bazuar se i njëjti ka qenë i rekrutuar në Shërbimin Inteligjent Serb – BIA, më konkretisht nga zyrtari i saj, Zhelimir Matoviq, dhe se i njëjti ka ofruar informacione këtij shërbimi në dëm të interesave të shtetit tonë. Konsiderojmë se nga provat që kemi siguruar kemi vërtetuar dyshimin e bazuar mirë”, tha ai.

Sipas tij, me rastin e paraqitjes së kërkesës për caktimin e paraburgimit, i pandehuri edhe vetë deklaroi se ka qenë i rekrutuar dhe ka pasur kontakte të vazhdueshme me zyrtarë të BIA-s.

“Siç jeni të informuar, edhe dje kemi kryer një bastisje në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe kemi siguruar prova materiale, më konkretisht telefona dhe një shumë të caktuar parash, të cilat ne konsiderojmë se janë dobi pasurore e përfituar përmes kryerjes së veprës penale. Pas përfundimit të hetimeve, konsiderojmë se ndaj të njëjtit do të ngremë edhe aktakuzë për veprën penale për të cilën tashmë kemi vërtetuar dyshimin e bazuar”, tha ai.