Aeroplanët e NATO-s rrëzojnë një dron mbi Letoni

Bota

Aeroplanët luftarakë që veprojnë në kuadër të misionit të NATO-s në Baltik kanë rrëzuar të premten një “dron të huaj” në hapësirën ajrore të Letonisë, njoftoi ushtria letoneze. Sipas Forcave të Armatosura të Letonisë, droni hyri në territorin ajror të vendit si pasojë e luftës elektronike ruse dhe u kap mbi rajonin e Balvit, në […]

Madhësia e shkronjave

Aeroplanët luftarakë që veprojnë në kuadër të misionit të NATO-s në Baltik kanë rrëzuar të premten një “dron të huaj” në hapësirën ajrore të Letonisë, njoftoi ushtria letoneze.

Sipas Forcave të Armatosura të Letonisë, droni hyri në territorin ajror të vendit si pasojë e luftës elektronike ruse dhe u kap mbi rajonin e Balvit, në lindje të Letonisë, shkruan euronews.

Ushtria letoneze ka vendosur njësi shtesë të mbrojtjes ajrore përgjatë kufirit lindor dhe ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e hapësirës ajrore.

“Përderisa agresioni i Rusisë në Ukrainë vazhdon, është e mundur që raste të tilla, ku dronë të huaj hyjnë ose afrohen pranë hapësirës ajrore të Letonisë, të përsëriten”, deklaroi ushtria letoneze.

Autoritetet raportuan gjithashtu për kërcënime të tjera ajrore në komunat Augshdaugava, Preiļi, Rezekne, Balvi dhe Aluksne, por këto incidente kanë përfunduar.

Incidenti i fundit vjen në një periudhë të rritjes së rasteve të hyrjes së dronëve në hapësirën ajrore të vendeve të NATO-s përgjatë krahut lindor të aleancës. Vetëm në korrik, avionët rumunë rrëzuan tre dronë brenda tri ditësh.

NATO ka shprehur “solidaritetin dhe mbështetjen e plotë” për aleatët e prekur, duke deklaruar se Rusia mban përgjegjësi të plotë për shkeljet e hapësirës ajrore, të cilat i cilësoi si të rrezikshme dhe të papranueshme.

Misioni i NATO-s për Policimin Ajror në Baltik funksionon përmes rotacioneve katërmujore të aeroplanëve aleatë në bazat ajrore në Siauliai të Lituanisë dhe Amari të Estonisë. Misioni u krijua në vitin 2004 dhe u zgjerua në vitin 2014 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. /Telegrafi/