La Liga do të aplikojë këtë sezon një seri rregullash të reja të ndarjes së drejtësisë, me synimin për të përmirësuar ritmin e ndeshjeve dhe për të ndëshkuar skuadrat apo lojtarët që tentojnë qëllimisht të humbin kohë.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me zëvendësimet. Nëse një lojtar merr më shumë se 10 sekonda për të dalë nga fusha pas zëvendësimit, futbollisti që do ta zëvendësojë nuk do të lejohet të hyjë menjëherë.
Ai do të presë ndërprerjen e parë të lojës pasi të kenë kaluar një minutë lojë reale.
Masa të reja do të ketë edhe për lojtarët që simulojnë dëmtime. Nëse një futbollist detyrohet të largohet nga fusha për shkak të një dëmtimi, ai do të duhet të presë një minutë pas rifillimit të lojës për t’u rikthyer.
Synimi është që dëmtimet të mos përdoren për të ndërprerë në mënyrë të panevojshme ritmin e ndeshjes.
Edhe portierët do të jenë nën vëzhgim më të madh. Nëse gjyqtari vlerëson se një portier po shtiret si i dëmtuar për të humbur kohë, trajneri do të urdhërohet që brenda 10 sekondave të largojë një lojtar nga fusha.
Nëse nuk e bën këtë, atëherë kapiteni do të duhet të largohet nga loja.
Një tjetër çështje lidhet me lojtarët që mbulojnë gojën gjatë bisedave me kundërshtarët.
Edhe pse IFAB u ka lënë kompeticioneve mundësinë që kjo sjellje të ndëshkohet me karton të kuq, Komiteti Teknik i Gjyqtarëve të La Ligës ka vendosur të mos e aplikojë këtë rregull.
“Për ne, mbulimi i gojës nuk do të jetë karton i kuq. Nuk e dimë se çfarë mund të ketë thënë kundërshtari dhe e konsiderojmë të padrejtë dhe të tepruar”, ka shpjeguar CTA./Telegrafi/






