Qyteti bullgar Burgas është zgjedhur si nikoqir i Eurovision Song Contest 2027, pas fitores historike të Bullgarisë me Dara dhe këngën “Bangaranga” në Eurovision 2026 në Vjenë.
Kjo do të jetë hera e parë që Bullgaria organizon festivalin më të madh muzikor në Evropë.
Konkursi do të mbahet në Arena Burgas, ndërsa dy gjysmëfinalet do të zhvillohen më 11 dhe 13 maj 2027, kurse finalja e madhe më 15 maj.
Përveç tri netëve të spektaklit, në qytet do të organizohen edhe një sërë aktivitetesh gjatë gjithë javës së Eurovisionit.
Burgasi u përzgjodh pas një gare mes Burgasit, Sofjes, Varnës dhe Plovdivit.
Në fazën përfundimtare të përzgjedhjes, Burgasi dhe Sofia mbetën dy kandidatët kryesorë.
Organizatorët vlerësuan infrastrukturën e qytetit, arenën moderne, kapacitetet e akomodimit, transportin dhe mundësinë për të mirëpritur mijëra artistë, delegacione, gazetarë dhe fansa nga e gjithë bota.
Gjatë javës së Eurovisionit pritet të zhvillohet një program i gjerë kulturor dhe argëtues, përfshirë Eurovision Village, EuroClub, ceremoninë e hapjes dhe aktivitete të tjera.
Edhe Sofia, Plovdiv dhe Varna do të përfshihen në programin shoqërues, duke bërë që Eurovisioni të mos jetë vetëm një event i Burgasit, por një festë në të gjithë Bullgarinë.
Burgasi, i cili ndodhet në bregdetin e Detit të Zi, njihet për plazhet, parqet, jetën kulturore dhe aktivitetet e shumta verore.
Organizatorët shpresojnë që Eurovisioni t’i japë qytetit një mundësi të jashtëzakonshme për të promovuar turizmin dhe kulturën e tij para miliona njerëzve në mbarë botën.
Eventi pritet gjithashtu të sjellë mijëra vizitorë ndërkombëtarë, duke ndikuar pozitivisht në hotele, restorante, transport dhe bizneset lokale.
Për Bullgarinë, organizimi i Eurovisionit përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të treguar kulturën, mikpritjen dhe potencialin turistik të vendit.
Eurovision 2027 në Burgas do të jetë kështu një ngjarje historike për Bullgarinë, e cila për herë të parë do të presë artistët dhe fansat e konkursit në një prej qyteteve të saj më të njohura bregdetare. /Telegrafi/






