NATO ka njoftuar se misioni i saj paqeruajtës në Kosovë, KFOR, ka nisur përshtatjen e pozicionimit dhe pranisë së tij në terren, pas përmirësimit të situatës së sigurisë.
Në një deklaratë, NATO bëri të ditur se këto ndryshime po ndërmerren për ta përshtatur misionin me rrethanat aktuale të sigurisë në Kosovë.
Sipas NATO-s, procesi po zhvillohet nën udhëheqjen e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, dhe në koordinim të ngushtë me autoritetet dhe palët e tjera relevante.

“NATO po punon për të siguruar që misioni ynë paqeruajtës në Kosovë, KFOR, të jetë i optimizuar për mjedisin aktual, duke pasur parasysh përmirësimet në situatën e sigurisë”, thuhet në njoftim.
Aleanca theksoi se përshtatjet në pozicionimin e KFOR-it përbëjnë një tregues konkret të progresit në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm, sipas NATO-s, është garantimi i lirisë së lëvizjes në gjithë territorin e Kosovës, në përputhje me mandatin e KFOR-it të përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.
NATO bëri të qartë se ndryshimet nuk janë përfundimtare dhe se procesi do të bazohet në kushtet e sigurisë në terren.
“Ky proces bazohet në kushte dhe mund të kthehet mbrapsht, nëse kjo vlerësohet e nevojshme”, theksoi Aleanca.
NATO përsëriti ndërkohë përkushtimin e saj për siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitet rajonal, duke nënvizuar se synimi është krijimi i kushteve të sigurta për të gjitha komunitetet.
KFOR vazhdon të ketë rol kyç në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë në Kosovë, ndërsa zhvillimet e fundit në aspektin e sigurisë kanë mundësuar që misioni të rregullojë praninë dhe pozicionimin e tij në përputhje me rrethanat aktuale./Telegrafi.





