Skena të pazakonta në NEC-Olympiacos: Zëvendësimi u vonua për tre minuta për një arsye qesharake

Sport

Skena të pazakonta janë parë të martën mbrëma në ndeshjen mes NEC Nijmegen dhe Olympiacosit, ku një zëvendësim u vonua për disa minuta për një arsye tejet të çuditshme. NEC u detyrua të bëjë një zëvendësim në minutën e 27-të, pasi Sami Ouaissa pësoi një problem muskulor në kofshë. Trajneri Dick Schreuder vendosi të aktivizojë […]

Madhësia e shkronjave

Skena të pazakonta janë parë të martën mbrëma në ndeshjen mes NEC Nijmegen dhe Olympiacosit, ku një zëvendësim u vonua për disa minuta për një arsye tejet të çuditshme.

NEC u detyrua të bëjë një zëvendësim në minutën e 27-të, pasi Sami Ouaissa pësoi një problem muskulor në kofshë.

Trajneri Dick Schreuder vendosi të aktivizojë Emre Morin, por futbollisti turk nuk mundi të futej menjëherë në fushë.

Arsyeja ishte një vath në veshin e tij.

Një pjesëtar i stafit të NEC u pa duke u marrë me veshin e Morit, me sa duket duke tentuar t’ia hiqte vathin ose ta mbulonte atë në mënyrë që futbollisti të mund të hynte në lojë.

Zëvendësimi u shty për disa minuta, ndërsa komentatori i Ziggo Sport, Wytse van der Goot, mbeti i habitur nga situata.

“Ai ende duhet ta heqë vathin para se të lejohet të hyjë në fushë. Ose diçka duhet të mbulohet me shirit. Me siguri kjo nuk mund të jetë befasi, që nuk lejohet të luajë me këtë”.

Ndërkohë, në transmetim u shfaq edhe trajneri Schreuder, i cili dukej tejet i zemëruar me situatën dhe po bërtiste në vijën anësore.

Problemi me vathin e Morit bëri që NEC të luante për disa minuta me një lojtar më pak, ndërsa futbollisti priste që çështja të zgjidhej.

“Ndoshta e ka mbajtur vathin edhe më parë dhe zyrtarët italianë janë më striktë për këtë këtu? Nuk e di. Kjo është e pabesueshme. Për këtë çështje ende nuk është thënë fjala e fundit”, vazhdoi komentatori me habi.

Vetëm pesë minuta më vonë, NEC u përball me një tjetër problem, pasi edhe Philippe Sandler u detyrua të largohej nga fusha për shkak të një dëmtimi.

Në vend të tij hyri Brayann Pereira, duke e bërë edhe më të komplikuar situatën për skuadrën holandeze./Telegrafi/