Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se do të përdorin çdo mjet institucional e juridik për ta rikthyer rendin kushtetues.
Deliu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sot në seancën e orës 11:00 nuk do të rrinë duarkryq.
Ajo tha se as Albin Kurti, as LVV-ja nuk mund ta marrin peng Republikën dhe ta ndryshojnë Kushtetutën sipas skenarit të tyre.
“Nuk do të rrimë duarkryq. Në ora 11:00 do të jemi në Kuvend dhe do ta përdorim çdo mjet institucional e juridik për ta rikthyer rendin kushtetues. As Albin Kurti, as LVV-ja nuk mund ta marrin peng Republikën dhe ta ndryshojnë Kushtetutën sipas skenarit të tyre. Qëllimi i tyre është i qartë: ose ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme në një datë që u konvenon, ose ta kapin edhe institucionin e Presidentit”, ka shkruar Deliu.
Tutja ajo tha se: “Por Kosova nuk është pronë e askujt. Kushtetuta nuk interpretohet sipas interesit politik dhe nuk guxon të merret peng”.






