Trump vendos kusht të ri në bisedimet me Iranin: Të kompensojë dëmet për të vrarët dhe të plagosurit

Bota

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur një kusht të ri në kuadër të bisedimeve të mundshme me Iranin, duke kërkuar që Teherani të paguajë kompensim për njerëzit që, sipas tij, janë vrarë ose plagosur si pasojë e veprimeve të Iranit në konflikte të ndryshme. Deklarata e Trumpit vjen pasi autoritetet iraniane kanë […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur një kusht të ri në kuadër të bisedimeve të mundshme me Iranin, duke kërkuar që Teherani të paguajë kompensim për njerëzit që, sipas tij, janë vrarë ose plagosur si pasojë e veprimeve të Iranit në konflikte të ndryshme.

Deklarata e Trumpit vjen pasi autoritetet iraniane kanë kërkuar që SHBA-ja të kompensojë dëmet e shkaktuara gjatë konfliktit të fundit, duke e lidhur këtë kërkesë me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.

Trump i bëri komentet përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku tha se kërkesa iraniane për kompensim nuk ishte përmendur më herët gjatë negociatave mes palëve.

“Shoh që përfaqësuesit e Republikës Islamike të Iranit po kërkojnë kompensim për dëmin e shkaktuar gjatë konfliktit ushtarak pesëmujor të fundit, i cili filloi sepse ata nuk do të kishin armë bërthamore, edhe pse kjo nuk u përmend kurrë në asnjë nga negociatat apo takimet tona”, shkroi Trump.

Ai shtoi se, nëse Irani kërkon kompensim nga SHBA-ja, atëherë edhe Uashingtoni do të kërkojë kompensim nga Teherani për viktimat e konflikteve të ndryshme.

“Është një ide interesante, sepse tani po kërkoj gjithashtu kompensim nga Irani për të gjithë njerëzit që ata kanë vrarë dhe plagosur rëndë me bombat e tyre në rrugë dhe në shumë konflikte, për të cilat janë të famshëm”, tha presidenti amerikan.

Trump përmendi në mënyrë të veçantë edhe familjet e viktimave të sulmit ndaj anijes amerikane USS Cole, si dhe persona të tjerë të vrarë në konflikte, duke iu referuar edhe figurës së gjeneralit iranian Qasem Soleimani.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se kompensimi duhet t’u paguhet familjeve të protestuesve që, sipas tij, janë vrarë nga autoritetet iraniane gjatë pesë dekadave të fundit.

“Për të mos përmendur 52 mijë që janë vrarë në pesë muajt e fundit”, shkroi Trump, pa dhënë në këtë postim detaje të mëtejshme për mënyrën se si është llogaritur kjo shifër.

Në fund të deklaratës së tij, Trump bëri të ditur se e ka udhëzuar ekipin amerikan që këtë çështje ta përfshijë në çdo negociatë të ardhshme me Iranin.

“I kam udhëzuar përfaqësuesit e mi që ta përfshijnë këtë në çdo negociatë të ardhshme”, përfundoi ai./Telegrafi.