Apple po përgatitet intensivisht për prezantimin tradicional të modeleve të reja të iPhone në shtator, ndërsa tashmë janë shfaqur informacione të reja për datën e mundshme të ngjarjes.
Sipas informacioneve të siguruara nga Bloomberg, Apple ka hapur brenda kompanisë regjistrimet për punonjësit e shitjeve me pakicë që dëshirojnë të marrin pjesë në organizimin e ngjarje të shtatorit, ku pritet të prezantohen iPhone 18 dhe telefoni i palosshëm i kompanisë.

Në njoftimin e brendshëm thuhet se prezantimi do të zhvillohet gjatë gjysmës së parë të shtatorit. Edhe pse Apple ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht datën, praktika e viteve të mëparshme sugjeron se eventi mund të mbahet më 9 shtator, pasi Apple zakonisht prezanton modelet e reja të iPhone të martën ose të mërkurën e javës së dytë të shtatorit.
Prezantimi i këtij viti pritet të jetë veçanërisht i rëndësishëm për dy arsye. Përveç serisë së re Pro, Apple pritet të prezantojë edhe telefonin e parë të palosshëm, i cili aktualisht përmendet me emrin iPhone Ultra.
Kjo pritet të jetë gjithashtu ngjarja e parë e madh e Apple nën drejtimin e drejtorit të ri ekzekutiv, John Ternus, i cili në fillim të shtatorit do të marrë detyrën nga Tim Cook.
Sipas thashethemeve të deritanishme, iPhone 18 Pro pritet të pajiset me procesorin e ri A20 të prodhuar me teknologji 2 nanometra, një Dynamic Island më të vogël, kamerë të përmirësuar me hapje të ndryshueshme të diafragmës dhe bateri më të madhe.
Ndërkohë, iPhone Ultra, telefoni i palosshëm, pritet të ketë një dizajn krejtësisht të ndryshëm. Megjithatë, sipas raportimeve, Apple mund të bëjë disa kompromise, përfshirë mungesën e sistemit Face ID dhe të kamerës telefoto.
Apple ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht as datën e ngjarjes dhe as detajet për telefonin e palosshëm, ndaj këto informacione mbeten të bazuara në raportime dhe rrjedhje të të dhënave. /Telegrafi/





