Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, është takuar të premten me agjentin e Roony Bardghjit, Christian Emile, për të finalizuar largimin e sulmuesit anësor suedez, raporton Diario SPORT.
Bardghji pritet të largohet nga ‘Camp Nou’ në kërkim të më shumë hapësirave dhe minutave, pasi në krahun e djathtë të sulmit përballet me konkurrencën e fortë të Lamine Yamalit, i cili aktualisht konsiderohet titullar i padiskutueshëm në skuadrën e Hansi Flickut.
Pavarësisht se nuk ka pasur shumë mundësi për të luajtur në ndeshje zyrtare, 20-vjeçari suedez ka lënë përshtypje të mira te stafi teknik i Barcelonës falë profesionalizmit dhe përkushtimit të tij në stërvitje.
Barcelona nuk dëshiron ta humbasë plotësisht kontrollin mbi të ardhmen e lojtarit dhe preferon një transferim përfundimtar, por duke përfshirë një përqindje nga një shitje e ardhshme.
Në këtë mënyrë, klubi katalunas do të mund të përfitojë financiarisht nga zhvillimi i tij në vitet e ardhshme.
Për shërbimet e Bardghjit ka interes nga disa klube evropiane, ndërsa një prej destinacioneve të mundshme është Sporting Lisbona, që po e monitoron situatën e reprezentuesit suedez.
Barcelona e transferoi Bardghjin për vetëm 2.5 milionë euro, ndërsa tani shpreson që largimi i tij të sjellë një fitim të konsiderueshëm financiar.
Suedezi konsiderohet një lojtar me potencial të madh, por konkurrenca e jashtëzakonshme në repartin ofensiv të Barcelonës ka bërë që klubi dhe lojtari të shohin një largim si zgjidhjen më të mirë për zhvillimin e karrierës së tij./Telegrafi/






