Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kritikuar vendimin për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të shtunën në orën 11:00, duke e cilësuar atë si shkelje të rendit kushtetues.
Përmes një reagimi në Facebook, Cakolli ka thënë se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është dashur ta caktojë vazhdimin gjatë ditës së sotme, në mënyrë që të respektohej afati kushtetues.
“Caktimi i vazhdimit të seancës konstituive për nesër, në orën 11:00, përbën shkelje të hapur dhe cenim të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues”, ka shkruar Cakolli.

Sipas tij, Dehari ka pasur obligim që vazhdimin e seancës ta thërriste sot, në një kohë që do të mundësonte përfundimin e saj brenda afatit të përcaktuar.
“Kryesuesi Avni Dehari ka pasur obligim ta thërriste vazhdimin sot, në një kohë që do të mundësonte edhe përfundimin e seancës deri në orën 23:59. Afati 48-orësh për pauzën është kufi procedural dhe zbatohet vetëm brenda afatit kushtetues”, ka deklaruar ai.
Cakolli ka kritikuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se mospropozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit brenda afatit, sipas tij, ua ka pamundësuar deputetëve ushtrimin e të drejtave të tyre kushtetuese.
“Dehari, përmes caktimit të vazhdimit pas afatit, dhe LVV-ja, përmes mosushtrimit brenda afatit 30-ditor të së drejtës ekskluzive të propozimit, ua kanë pamundësuar deputetëve ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të tyre kushtetuese”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka vlerësuar se kjo situatë përbën shkelje procedurale dhe kushtetuese, si dhe moszbatim të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese.
“Ky vendim dhe e gjithë kjo sjellje përbëjnë shkelje procedurale, shkelje kushtetuese dhe moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Cakolli.
Në fund, ai ka bërë thirrje që pas mesnatës së paku dhjetë deputetë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar vendimin për vazhdimin e seancës.
“Prandaj, menjëherë pas mesnatës, së paku dhjetë deputetë duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, ta kontestojnë vendimin për caktimin e seancës pas afatit dhe mosveprimet e 6 dhe 7 gushtit, si dhe të kërkojnë masë të përkohshme për pezullimin e seancës së nesërme para orës 11:00”, ka shkruar ai. /Telegrafi/





