Si kaloi Kosova nga Liga C në Ligën B të Kombeve – rezultatet që “Dardanët” i afruan me skenën e madhe

Sport

Nga debutimi historik në Ligën D, te ngjitja në Ligën C, përballjet me kundërshtarë gjithnjë e më të fortë dhe promovimi në Ligën B – Kosova ka bërë një rrugëtim të veçantë në Ligën e Kombeve, ndërsa tash synimi është të prekë elitën e futbollit evropian, Ligën A. Kur Kosova u bë pjesë e UEFA-s […]

Madhësia e shkronjave

Nga debutimi historik në Ligën D, te ngjitja në Ligën C, përballjet me kundërshtarë gjithnjë e më të fortë dhe promovimi në Ligën B – Kosova ka bërë një rrugëtim të veçantë në Ligën e Kombeve, ndërsa tash synimi është të prekë elitën e futbollit evropian, Ligën A.

Kur Kosova u bë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s, çdo ndeshje zyrtare për “Dardanët” kishte një rëndësi të veçantë, Kombëtarja po ndërtonte identitetin e saj, po kërkonte rezultate dhe, mbi të gjitha, po përpiqej të krijonte një vend të qëndrueshëm në futbollin evropian.

Një prej platformave më të rëndësishme për këtë zhvillim ishte Liga e Kombeve, kompeticion i krijuar nga UEFA për të zëvendësuar një pjesë të ndeshjeve miqësore me përballje zyrtare dhe për t’u dhënë kombëtareve mundësinë që të ngjiten ose të bien nga një ligë në tjetrën.

Për Kosovën, ky kompeticion është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të historisë së saj ndërkombëtare. “Dardanët” e nisën aventurën nga Liga D, niveli më i ulët i garës, ndërsa sot janë në Ligën B, vetëm një hap larg elitës së Ligës A.

Rruga nuk ka qenë e drejtë dhe nuk ka ardhur pa pengesa sepse ka pasur ngritje, rënie, fitore të mëdha, zhgënjime dhe ndeshje që kanë mbetur gjatë në kujtesën e tifozëve, por mbi të gjitha ka pasuur një progres të dukshëm.

Fillimi në Ligën D – Kosova kërkonte vendin e saj

Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, 2018/19, Kosova u vendos në Grupin D3, së bashku me Azerbajxhanin, Ishujt Faroe dhe Maltën.

Në atë kohë, objektivi ishte i qartë: fituesi i grupit siguronte promovimin në Ligën C dhe Kosova kishte një mundësi të artë për të nisur ngjitjen në hierarkinë e futbollit evropian.

Aventura nisi më 7 shtator 2018 me një barazim pa gola ndaj Azerbajxhanit në Baku kurse pak ditë më vonë, në Prishtinë, “Dardanët” shënuan fitoren e parë në këtë kompeticion, duke mposhtur Ishujt Faroe 2-0.

Më pas erdhi fitorja 3-1 ndaj Maltës, ndërsa në ndeshjen e kthimit kundër Ishujve Faroe, Kosova barazoi 1-1.

Kombëtarja e Kosovës fitoi ndaj Maltës me rezultat 0-5 në Ligën e Kombeve

Kjo seri rezultatesh e mbajti skuadrën në garë për vendin e parë.

Në dy ndeshjet e fundit erdhën edhe paraqitjet më bindëse, Kosova mposhti Maltën 5-0 në udhëtim, ndërsa më 20 nëntor 2018, në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkatërroi Azerbajxhanin 4-0.

Arbër Zeneli shënoi het-trik në atë përballje, ndërsa Amir Rrahmani realizoi një tjetër gol dhe me këtë fitore Kosova e mbylli grupin në vendin e parë me 14 pikë, katër fitore dhe dy barazime, duke siguruar promovimin në Ligën C.

Ishte hapi i parë i madh, Kosova kishte hyrë në Ligën e Kombeve si një Kombëtare që po kërkonte vendin e saj në futbollin evropian dhe e përfundoi aventurën e parë si fituese e grupit. Nga Liga D, “Dardanët” kishin nisur ngjitjen.

Kosova ngjitet në Ligën C, por sfidat bëhen më të mëdha

Promovimi në Ligën C solli edhe kundërshtarë më të fortë. Në edicionin 2020/21, Kosova u vendos në Grupin C3, së bashku me Greqinë, Slloveninë dhe Moldavinë.

Këtë herë, detyra ishte shumë më e vështirë, pasi përballë kishte Kombëtare me përvojë më të madhe ndërkombëtare dhe objektivi për promovim kërkonte rezultate shumë më të mira.

Kosova e nisi me një barazim 1-1 ndaj Moldavisë, ndërsa më pas humbi 1-2 në Prishtinë nga Greqia.

Humbja 0-1 ndaj Sllovenisë e vështirësoi edhe më shumë situatën, ndërsa në Athinë “Dardanët” arritën të merrnin një pikë pas barazimit pa gola me Greqinë.

Kosova u mposht 2-1 nga Sllovenia në udhëtim.

Në vazhdim, Kosova humbi 2-1 nga Sllovenia, ndërsa në ndeshjen e fundit mposhti Moldavinë 1-0 në Prishtinë.

Në fund, Kosova e mbylli grupin në vendin e tretë me vetëm 5 pikë, pas Sllovenisë dhe Greqisë.

Ishte një edicion që tregoi qartë se Liga C ishte një nivel tjetër dhe se promovimi nuk do të vinte aq lehtë sa në aventurën e parë. Megjithatë, përvoja e fituar në këto ndeshje do të ishte e rëndësishme për vitet në vazhdim.

2022 – Kosova i afrohet për herë të parë Ligës B

Në edicionin 2022/23, Kosova u vendos përsëri në Ligën C, këtë herë në Grupin C2, së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe Qipron. Kjo fushatë solli një ndryshim të dukshëm në paraqitjen e “Dardanëve”, të cilët këtë herë ishin shumë më konkurrues dhe deri në fund mbetën në garë për vendin e parë.

Kosova e nisi me fitore 2-0 në udhëtim ndaj Qipros, ndërsa më pas humbi 0-1 nga Greqia në Prishtinë.

Një prej ndeshjeve më të bukura të asaj fushate ishte fitorja 3-2 ndaj Irlandës së Veriut, por Greqia vazhdoi të ishte kundërshtari që e ndante Kosovën nga kreu.

Pas humbjes 2-0 në Athinë dhe 2-1 në Irlandën e Veriut, “Dardanët” e mbyllën edicionin me një fitore spektakolare 5-1 ndaj Qipros.

Kosova shkëlqeu ndaj Qipros, duke triumfuar 5-1 në “Fadil Vokrri”

Kosova e përfundoi grupin në vendin e dytë me 9 pikë, pas Greqisë që kishte grumbulluar 15 pikë.

Edhe pse promovimi nuk u arrit, ishte një sinjal i qartë se “Dardanët” tashmë ishin në gjendje të luftonin për kreun e një grupi të Ligës C. Një tjetër hap ishte bërë dhe Liga B po afrohej.

2024 – ardhja e Franco Fodës dhe ndryshimi i Kombëtares së Kosovës

Një rol të rëndësishëm në këtë periudhë të re të Kosovës ka pasur edhe Franco Foda, i cili mori drejtimin e “Dardanëve” në fillim të vitit 2024.

Gjermani e nisi aventurën me fitore 1–0 ndaj Armenisë dhe gradualisht ndërtoi një skuadër që kombinoi përvojën e lojtarëve kryesorë me afrimin e emrave të rinj.

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda.

Në Ligën e Kombeve 2024/25, Kosova e mbylli grupin me katër fitore dhe dy humbje, duke siguruar vendin në “play-off”, ku më pas eliminoi Islandën me rezultat të përgjithshëm 5–2 dhe siguroi ngjitjen historike në Ligën B.

Foda kishte shfaqur që në fillim besim të madh te potenciali i skuadrës.

Para nisjes së Ligës së Kombeve, ai deklaronte se “të gjithë lojtarët janë në formë jashtëzakonisht të mirë” dhe se Kosova kishte mjaftueshëm cilësi për të zgjedhur formacionin më të mirë.

Kjo qasje u shoqërua edhe me integrimin e lojtarëve të rinj, duke i dhënë Kombëtares së Kosovës një bazë më të gjerë për vitet e ardhshme.

Vetë Foda e ka cilësuar progresin e Kosovës si një bazë të fortë për të ardhmen, ndërsa në këtë proces janë afruar gjithnjë e më shumë futbollistë të rinj.

Elvis Rexhbeçaj, Fisnik Asllani e emra të tjerë të gjeneratës së re janë bërë pjesë e rëndësishme e projektit, duke krijuar një ndërthurje mes përvojës së Vedat Muriqit, Amir Rrahmanit, Milot Rashicës e Edon Zhegrovës dhe energjisë së lojtarëve të rinj.

2024/25 – fushata që ndryshoi historinë

Në edicionin 2024/25, Kosova u vendos sërish në Grupin C2, së bashku me Rumaninë, Qipron dhe Lituaninë.

Këtë herë, “Dardanët” hynë në garë me më shumë përvojë dhe me një skuadër që kishte kaluar tashmë nëpër disa cikle të Ligës së Kombeve. Synimi ishte i qartë: sigurimi i promovimit në Ligën B.

Kosova e nisi kampanjën me humbje 3–0 ndaj Rumanisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, por reagimi i “Dardanëve” ishte i menjëhershëm.

Pas kësaj disfate, Kosova regjistroi tri fitore radhazi, duke e mposhtur Qipron dy herë dhe duke triumfuar edhe ndaj Lituanisë në udhëtim.

Ndërkohë, ndeshja ndaj Rumanisë në Bukuresht u ndërpre në fund të takimit, pasi futbollistët e Kosovës u larguan nga fusha pas thirrjeve politike të dëgjuara në stadium.

Për shkak të ndërprerjes dhe mosrikthimit të ekipit në fushë, UEFA e regjistroi ndeshjen me rezultat zyrtar 3–0 në favor të Rumanisë.

Marsi 2025 – momenti që ndryshoi gjithçka

Rivali i Kosovës në play-offin për Ligën B ishte Islanda. Ndeshja e parë u zhvillua në Prishtinë dhe “Dardanët” arritën një fitore 2-1.

Ishte një avantazh i rëndësishëm, por jo vendimtar, pasi gjithçka duhej të përcaktohej në ndeshjen e kthimit në Islandë.

Atje Kosova zhvilloi një prej paraqitjeve më të rëndësishme të viteve të fundit. “Dardanët” fituan 3-1 dhe me rezultatin e përgjithshëm 5-2, siguruan promovimin në Ligën B.

Dy fitore në dy ndeshje dhe pesë gola të shënuar e vulosën një sukses që kishte ardhur pas disa vitesh pritjeje.

Ky ishte momenti që e kompletoi ngjitjen e Kosovës nga niveli më i ulët i Ligës së Kombeve deri në Ligën B.

Nga Liga D në vitin 2018, te Liga C dhe më pas promovimi në Ligën B në vitin 2025.

Rruga kishte qenë e gjatë, por çdo edicion kishte sjellë një tjetër hap përpara.

Promovimi i vitit 2025 e vendosi Kosovën në një nivel të ri, në edicionin 2026/27, “Dardanët” janë pjesë e Grupit B3, së bashku me Austrinë, Izraelin dhe Republikën e Irlandës. Kjo do të thotë se Kosova tashmë është vetëm një nivel larg elitës së Ligës A.

Por pikërisht këtu fillon edhe sfida më e madhe, Liga B nuk është më niveli ku Kosova kërkon vetëm të tregojë se i përket futbollit evropian.

Tash duhet të luftojë me skuadra të konsoliduara për një vend në elitë dhe formati i ri i Ligës së Kombeve u jep “Dardanëve” dy rrugë drejt Ligës A.

Fituesi i grupit siguron promovimin direkt në Ligën A, ndërsa skuadra që përfundon në vendin e dytë mund të sigurojë një tjetër mundësi përmes play-offit.

Për Kosovën, kjo e bën edicionin 2026/27 një prej kapitujve më të rëndësishëm që nga pranimi në UEFA.

Nga “Fadil Vokrri” drejt elitës së Evropës

Rrugëtimi i Kosovës në Ligën e Kombeve është më shumë sesa një seri rezultatesh.

Është historia e një Kombëtareje që e nisi garën nga fundi i hierarkisë së UEFA-s dhe, hap pas hapi, ka arritur në një pozitë ku tash mund të synojë përballjet me skuadrat më të forta të kontinentit.

Në vitin 2018, Kosova ishte në Ligën D dhe objektivi ishte promovimi, e arriti.

Në vitin 2020, në Ligën C, nuk arriti të bënte hapin tjetër.

Në vitin 2022 përfundoi e dyta dhe tregoi se ishte shumë pranë Ligës B.

Në vitin 2024, përsëri përfundoi e dyta, por këtë herë fitoi mundësinë për ta kërkuar promovimin përmes play-offit.

Dhe në mars 2025, kundër Islandës, erdhi momenti i madh. Dy fitore, pesë gola të shënuar dhe vetëm dy të pranuar, Liga B.

Një tjetër kapitull ishte mbyllur dhe një i ri kishte nisur.

Kjo është ajo që e bën rrugëtimin e Kosovës të veçantë, “Dardanët” nuk janë ngjitur në mënyrë të menjëhershme, por kanë kaluar nëpër disa etapa, kanë mësuar nga humbjet, kanë fituar përvojë dhe kanë ndërtuar gradualisht një Kombëtare më konkurruese.

Në vitin 2018, Kosova ishte në fundin e Ligës së Kombeve kurse sot është në Ligën B.

Liga A ende nuk është arritur, por tash ajo nuk duket më si një objektiv i largët.

Për ta prekur elitën, Kosova duhet të kalojë edhe pengesën e fundit dhe të tregojë se është gati për nivelin më të lartë të këtij kompeticioni.

Nga Liga D në Ligën B, rrugëtimi tashmë është shkruar dhe kapitulli i radhës është Liga A. /Telegrafi/