Baraliu: Ka shpresa për marrëveshje LVV-LDK, afati për konstituimin e Kuvendit përfundon më 7 gusht

Nacionale

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu ka komentuar situatën e krijuar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit. Baraliu ka vlerësuar se deklaratat e Kurtit mund të sinjalizojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike […]

Madhësia e shkronjave

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu ka komentuar situatën e krijuar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pasi kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit.

Baraliu ka vlerësuar se deklaratat e Kurtit mund të sinjalizojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje politike mes LVV-së dhe LDK-së, e cila do të përfshinte çështjen e presidentit dhe bashkëqeverisjen.

“Pas fjalimit të kryeministrit në detyrë dhe pas konstituimit jo të plotë të Kuvendit, mendoj se ka shpresa serioze, në një përqindje të madhe, që do të ketë një marrëveshje përfshirëse në pako mes LVV-së, gjegjësisht koalicionit të saj, dhe LDK-së për presidentin dhe për bashkëqeverisjen”, ka thënë Baraliu.

Sipas tij, përvoja e viteve të fundit ka treguar se partitë politike shpesh kanë ndryshuar qëndrimet e tyre, por ai beson se kërkesa për kohë shtesë mund të jetë shenjë e një përpjekjeje për të arritur marrëveshje.

“Ky është një lajm i mirë që do të ketë një marrëveshje dhe një caktim pastaj të seancës së Kuvendit, në mënyrë që të kryhen punët e pambaruara në konstituimin e Kuvendit, pra zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve dhe në pako presidenti, e pastaj edhe qeverisja”, u shpreh ai.

Baraliu ka theksuar se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është shumë i rëndësishëm dhe përfundon më 7 gusht.

“Ata duhet ta kenë parasysh që afati i fundit është 7 gushti për ta konstituuar Kuvendin. Jam i bindur që kjo shtrirje kohore dhe kërkesa për kohë shtesë për marrëveshje nënkupton që nesër, si dita e fundit, do të ketë vazhdim të kësaj seance”, tha ai.

Ai ka shpjeguar edhe skenarin në rast se Kuvendi nuk thirret brenda afatit, duke thënë se situata është e ndërlikuar për shkak të ndërthurjes së mandateve institucionale.

Sipas Baraliut, Albulena Haxhiu vazhdon të konsiderohet kryetare e Kuvendit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi seanca konstituive nuk ka përfunduar.

“Meqë nuk ka marrë fund seanca konstituive, mund të interpretohet se rrjedh mandati i legjislaturës së kaluar, në të cilën ajo ka qenë kryetare e Kuvendit. Kjo do të thotë se momentalisht ajo është edhe kryetare e Kuvendit”, shpjegoi ai.

Ai shtoi se me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, mandati i kryetarit aktual përfundon automatikisht.

Baraliu foli edhe për mundësinë e ushtrimit të detyrës së presidentit nga kryetari i Kuvendit, duke sqaruar se Kushtetuta parasheh që, në mungesë të presidentit, këtë rol e merr ushtruesi i detyrës së kryetarit të Kuvendit.

“Legjislatura e re ka filluar dhe duhet të prodhojë një kryetar Kuvendi. Ai kryetar, sapo ta marrë mandatin, nëse nuk kemi president, automatikisht i takon e drejta e ushtruesit të detyrës së presidentit për gjashtë muaj”, tha Baraliu.

Sipas tij, ditët në vijim do të jenë vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe për vazhdimin e procesit të konstituimit të institucioneve të reja. /Telegrafi/.