Nga videot në TikTok te pretendimet politike – si u përhapën dezinformatat gjatë krizës në Ceuta?

Bota

Çfarë dimë deri tani për pretendimet që qarkulluan lidhur me krizën në Ceuta? Para se rreth 70 mijë persona të kalonin në territorin spanjoll të Ceutës, enklavës spanjolle që kufizohet me Marokun, në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, si TikTok, Facebook dhe të tjera, raportohet se u shpërndanë video që paraqisnin një rrugë më […]

Madhësia e shkronjave

Çfarë dimë deri tani për pretendimet që qarkulluan lidhur me krizën në Ceuta? Para se rreth 70 mijë persona të kalonin në territorin spanjoll të Ceutës, enklavës spanjolle që kufizohet me Marokun, në platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, si TikTok, Facebook dhe të tjera, raportohet se u shpërndanë video që paraqisnin një rrugë më të lehtë drejt Evropës.

Sipas raportimeve, disa persona pretendonin se kufiri ishte hapur, ndërsa të tjerë përhapnin idenë se migrantët që mbërrinin përmes detit nuk mund të ktheheshin menjëherë. Këto pretendime besohet se ndikuan në përhapjen e informacionit të pasaktë dhe në nxitjen e lëvizjeve masive drejt territorit spanjoll, raporton euronews.

Disa të tjerë publikuan fotografi të kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, duke e paraqitur atë si një lider që do t’u ofronte “dinjitet dhe njohje atyre që ndërtojnë Spanjën”.

Këto postime i referoheshin një programi të fundit të qeverisë spanjolle për rregullimin e statusit të mijëra migrantëve, por pa bërë të qartë se ky program u drejtohej vetëm personave që tashmë jetonin në territorin spanjoll.

Ndërsa nisën të qarkullonin video që tregonin mijëra persona të mbledhur në brigje, një valë e dytë pretendimesh të rreme filloi të përhapej.

Këtë herë, informacionet e pasakta lidhenin me arsyet që kishin nxitur kalimet kufitare, si dhe me fatin e personave që arrinin në Spanjë.

Pretendimi: Spanja kishte lehtësuar rregullat e migracionit

Ende nuk është përcaktuar plotësisht se çfarë shkaktoi valën e paprecedentë të kalimeve drejt Ceutës. Megjithatë, zyrtarët dhe ekspertët përmendin një kombinim faktorësh, përfshirë vështirësitë ekonomike në Marok, përhapjen e dezinformatave në rrjetet sociale, veprimtarinë e rrjeteve kriminale, si dhe masat e ndërmarra nga autoritetet në të dyja anët e kufirit.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka deklaruar se trafikantët e migrantëve e kanë interpretuar dhe paraqitur në mënyrë të qëllimshme të gabuar një vendim të fundit të Gjykatës Supreme, me synimin për të nxitur njerëzit të kalonin kufirin.

Ndërkohë, aktivistë për të drejtat e migrantëve dhe të njeriut theksojnë se thashethemet dhe informacionet e pavërtetuara të shpërndara në rrjetet sociale kanë luajtur rol në nxitjen e kësaj vale të papritur të kalimeve.

Në ditët para kalimeve masive, në rrjetet sociale u përhapën postime që pretendonin se Spanja kishte lehtësuar ndjeshëm rregullat e saj të migracionit. Këto pretendime u mbështetën në dy zhvillime reale: vendimin e qeverisë spanjolle për të rregulluar statusin e mijëra migrantëve dhe një vendim të Gjykatës Supreme.

Kritikët, përfshirë edhe Departamentin amerikan të Shtetit, argumentuan se programi spanjoll për rregullimin e statusit të migrantëve kishte ndikuar në nxitjen e kalimeve masive, duke krijuar përshtypjen se Spanja kishte miratuar një qasje më të lehtë ndaj migracionit.

Megjithatë, ky program, i cili që nga shpallja e tij është keqinterpretuar dhe është bërë objekt i pretendimeve të pasakta, zbatohej vetëm për migrantët pa dokumente që jetonin në Spanjë që nga 1 janari 2026 dhe që plotësonin kriteret e përcaktuara për qëndrim. Për këtë arsye, ai nuk mund të zbatohej për personat që mbërritën në Ceuta në fund të korrikut dhe fillim të gushtit.

Në të njëjtën kohë, në rrjetet sociale u përhapën edhe postime mashtruese lidhur me një vendim të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës për migrantët e ndaluar pasi kishin mbërritur në vend përmes detit.

Në të vërtetë, vendimi nuk u jepte migrantëve të drejtën për të qëndruar në Spanjë. Ai përcaktonte se personat e ndaluar pas mbërritjes nga deti nuk mund të ktheheshin menjëherë sipas regjimit të veçantë kufitar që zbatohet në Ceuta dhe në qytetin tjetër spanjoll, Melilla. Në vend të kësaj, autoritetet duhej të ndiqnin procedurën e zakonshme ligjore për kthimin e migrantëve.

Pra, vendimi kishte të bënte vetëm me mënyrën se si duhet të zhvillohej procedura ligjore e kthimit dhe nuk u garantonte migrantëve të drejtën automatike për të qëndruar në Spanjë apo për të vazhduar udhëtimin drejt pjesës kontinentale të Evropës.

Megjithëse qeveria e Pedro Sánchez-it ka mbështetur një program për rregullimin e statusit të migrantëve pa dokumente që tashmë jetojnë në Spanjë, ajo ka ndjekur një qasje më të ashpër ndaj migracionit të parregullt, veçanërisht në Ceuta dhe Melilla.

Qeveria nuk e ka shfuqizuar dispozitën e vitit 2015 që lejon kthimet në kufi në Ceuta dhe Melilla. Po ashtu, ajo ka vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Marokun për kontrollin e migracionit, duke ofruar mbështetje financiare dhe operacionale për autoritetet marokene me synim parandalimin e kalimeve të parregullta kufitare.

Ndërkohë, disa politikanë spanjollë kanë akuzuar autoritetet marokene se kanë lejuar kalimin e migrantëve, duke iu referuar kontrolleve të kufizuara përgjatë kufirit. Një fotograf i agjencisë Associated Press ka raportuar se ka parë oficerë marokenë që qëndronin mënjanë, përpara se forcat e sigurisë të ndërhynin më vonë.

Maroku ka deklaruar se e kishte paralajmëruar Spanjën se vendimi i Gjykatës Supreme mund të nxiste më shumë persona të tentonin kalimin e kufirit, duke argumentuar se rrjetet e trafikimit do ta shfrytëzonin këtë vendim për të përhapur mesazhe mashtruese në internet. Nga ana tjetër, autoritetet spanjolle e kanë mohuar këtë pretendim.

Ndërkohë, të martën, komisioneri i Bashkimit Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, shprehu shqetësim për rolin që dezinformimi në internet mund të ketë luajtur në përshkallëzimin e kësaj krize. Megjithatë, ai nuk identifikoi ndonjë burim apo aktor të caktuar si përgjegjës për përhapjen e këtyre informacioneve.

Pretendimi: Migrantët që arritën në Ceuta do të vazhdonin drejt Evropës kontinentale

Ndërsa mijëra persona hynë në Ceuta, politikanë dhe komentues në vende të ndryshme evropiane paralajmëruan se migrantët së shpejti do të vazhdonin udhëtimin drejt Spanjës kontinentale dhe më pas drejt shteteve të tjera të Evropës.

Në këtë kontekst, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, vendosi përkohësisht kontrolle shtesë për mbërritjet ajrore dhe detare nga Spanja. Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, njoftoi plane për forcimin e kontrolleve kufitare.

Pretendime të ngjashme u bënë edhe nga politikanë britanikë, përfshirë ish-ministren e Brendshme, Suella Braverman, e cila deklaroi se migrantët do të lëviznin drejt pjesëve të tjera të Evropës.

Megjithatë, në kundërshtim me këto pretendime, komisioneri i Bashkimit Evropian për Migracionin, Magnus Brunner, deklaroi se “asnjë person i vetëm” nuk kishte kaluar në Evropën kontinentale deri të premten në mbrëmje. Ai theksoi se Kodi i Kufijve Shengen tashmë parashikon mundësinë e kryerjes së kontrolleve shtesë për personat që udhëtojnë nga Ceuta dhe Melilla.

Ministria e Jashtme e Spanjës ka konfirmuar se kontrollet kryhen gjatë largimit me rrugë detare ose ajrore, të cilat janë të vetmet mënyra për të udhëtuar nga këto territore drejt pjesës tjetër të Spanjës. Kjo do të thotë se askush nuk mund të lëvizë nga Ceuta ose Melilla drejt Spanjës kontinentale pa iu nënshtruar identifikimit nga Policia Kombëtare.

Autoritetet spanjolle kanë theksuar gjithashtu se hyrja e parregullt në Ceuta nuk u jep migrantëve as të drejtën për të qëndruar në Spanjë dhe as të drejtën për të udhëtuar drejt pjesës kontinentale të Bashkimit Evropian.

Për më tepër, autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se shumica e migrantëve që hynë në Ceuta tashmë janë kthyer në Marok, qoftë në mënyrë vullnetare ose përmes procedurave të kthimit të zbatuara nga autoritetet.

Në kohën e publikimit të këtij informacioni, disa mijëra migrantë vazhdonin të qëndronin në enklavë dhe, sipas agjencisë Associated Press, shpresonin të qëndronin aty derisa t’u krijohej mundësia për të arritur në Spanjën kontinentale.

Megjithatë, personat që kanë mbetur përballen me një të ardhme të pasigurt ligjore. Në varësi të rrethanave të secilit rast, ata mund të kthehen në vendin e origjinës, të mbeten për një periudhë në një situatë të paqartë juridike ose të strehohen përkohësisht në qendra të menaxhuara nga autoritetet spanjolle.

Sipas legjislacionit spanjoll, edhe migrantët e rritur që paraqesin kërkesë për azil mund t’i nënshtrohen procedurave të kthimit ose dëbimit, në varësi të vlerësimit të rastit dhe kushteve të parashikuara në ligj.

Pretendimi: Kalimet kufitare u organizuan nga Izraeli dhe SHBA-ja si hakmarrje

Gjatë zhvillimit të krizës, në internet u përhapën edhe teori konspirative që pretendonin se kalimet masive ishin organizuar si një formë hakmarrjeje ndaj Spanjës për shkak të qëndrimeve të saj ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza dhe dënimit të sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj Iranit.

Sipas këtyre pretendimeve, Izraeli ose Shtetet e Bashkuara kishin nxitur Marokun të lejonte kalimin e migrantëve drejt Ceutës, me synimin për të ndëshkuar qeverinë spanjolle për pozicionet e saj në politikën e jashtme.

Megjithatë, deri në kohën e publikimit të këtij informacioni, nuk ka prova të besueshme që mbështesin këto pretendime. Nuk është paraqitur asnjë evidencë që të tregojë se Shtetet e Bashkuara apo Izraeli kanë qenë të përfshirë në nxitjen ose organizimin e kalimeve të migrantëve drejt Ceutës. /Telegrafi/