Aktorja Christina Applegate është liruar nga spitali pas katër muajsh trajtim dhe tani ndodhet në shtëpi, ku sipas mediave amerikane ndihet mirë.
Nuk është bërë e ditur nëse shtrimi në spital lidhej drejtpërdrejt me sklerozën e shumëfishtë (MS), sëmundje autoimune nga e cila ajo vuan që nga viti 2021.
Përfaqësuesi i saj nuk dha detaje, duke theksuar vetëm se aktorja ka një histori të gjatë me probleme të ndërlikuara shëndetësore.
Pak ditë pas shtrimit, Applegate falënderoi fansat për mbështetjen përmes Instagramit, duke shkruar se problemet shëndetësore janë pjesë e jetës së saj, por se ndihet e fortë dhe çdo ditë po përmirësohet.
Edhe kolegu i saj nga seriali “Married… with Children”, David Faustino, tha se periudha që po kalon është e vështirë, por se ajo vazhdon ta ruajë sensin e humorit.
Applegate ka folur edhe më herët për gjendjen e saj shëndetësore.
Në vitin 2025 ajo zbuloi se ishte shtruar në spital për shkak të një infeksioni në veshka, ndërsa në muajin shkurt kishte treguar se për shkak të sëmundjes kalonte shumë kohë e shtrirë në shtrat, megjithëse përpiqej ta çonte çdo ditë vajzën e saj, Sadie, në shkollë. /Telegrafi/






