Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, duke deklaruar se e pranon me përulësi vendimin e delegatëve dhe se e sheh atë si një përgjegjësi të re për të ruajtur kahjen e LDK-së.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku theksoi se, ndonëse kishte besuar se Kuvendi ishte i panevojshëm, i dëmshëm dhe i ngutshëm, ai tashmë i përket së shkuarës.
Ai bëri thirrje për bashkim brenda LDK-së, duke nënvizuar se partia ka nevojë për unitet, ndërsa Kosova për stabilitet institucional dhe institucione funksionale.

Në LDK, fjala e fundit i takon gjithmonë anëtarësisë.
Kam besuar se ky Kuvend ishte i panevojshëm, i dëmshëm e i ngutshëm. Sot, ai i përket së shkuarës. E pranoj me përulësi vendimin e delegatëve dhe e marr atë si një përgjegjësi të re për ta ruajtur me fanatizëm kahjen e LDK-së.
LDK mbetet veç e anëtarësisë dhe ky është verdikti më thelbësor që dha LDK-ja mbrëmë.
Kjo periudhë na sprovoi. Por sprovat nuk duhet të na ndryshojnë vlerat. LDK-ja është ndërtuar mbi kulturën e dialogut, të maturisë dhe të respektit për mendimin ndryshe. Pikërisht këto vlera duhet të na udhëheqin edhe tani. Prandaj sot kam vetëm mirënjohje. Mirënjohje për ata që më besuan. Po aq mirënjohje edhe për ata që menduan ndryshe. Demokracia nuk kërkon njëzëshmëri; ajo kërkon respekt. Tani, më ndihmoni të gjithë, të bashkojmë këtë shtëpi; dhe nga këtu të bashkojmë dhe gjithë Kosovën.
Ky është roli ynë si LDK e vërtetë. Rolet tjera nuk na përkasin neve.
LDK ka nevoje për bashkim; gjersa Republika ka nevojë për stabilitet institucional, për institucione funksionale dhe për një politikë që vendos interesin shtetëror mbi çdo llogari tjetër. Ky do të mbetet orientimi ynë. Kështu njihet LDK.
Për LDK-në e anëtarësisë. Për Republikën e popullit tonë. /Telegrafi/





