Babai i këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, Mitch Winehouse, është urdhëruar nga Gjykata e Lartë në Britani të paguajë mbi një milion euro për dy shoqe të vajzës së tij, pas humbjes së një padie lidhur me shitjen në ankand të sendeve personale të këngëtares.
Mitch Winehouse kishte pretenduar se Naomi Parry dhe Catriona Gourlay kishin përfituar financiarisht nga shitja e dhjetëra sendeve të Amy Winehouse në ankandet e zhvilluara në ShBA në vitet 2021 dhe 2023.
Ai argumentonte se ato e kishin fshehur qëllimisht shitjen e këtyre sendeve.Megjithatë, gjyqtarja Sarah Clarke KC e rrëzoi padinë, duke deklaruar se Mitch e dinte prej kohësh për shitjen e planifikuar dhe se vetëm pas përfundimit të saj kishte filluar të kërkonte para nga dy gratë.
Ajo tha se ai kishte ndjekur çështjen në mënyrë agresive dhe kishte bërë akuza serioze pa baza, të cilat kishin dëmtuar reputacionin, mundësitë profesionale, sigurinë financiare dhe shëndetin e dy të paditurave.
Shpenzimet ligjore të dy shoqeve të Amy arritën në shuma të mëdha.
Naomi Parry kishte shpenzuar rreth 830 mijë euro për mbrojtjen ligjore, ndërsa Catriona Gourlay rreth 550 mijë euro.
Përveç këtyre pagesave, ai duhet të mbulojë edhe shpenzimet e tyre ligjore në bazë të një norme më të lartë kompensimi, e cila zakonisht vendoset kur një palë është sjellë në mënyrë veçanërisht të paarsyeshme gjatë procesit gjyqësor.
Gjyqtarja Clarke tha se Mitch e kishte kthyer çështjen në një proces gjyqësor shumë të kushtueshëm dhe të zgjatur, me qëllim që të ushtronte presion ndaj dy grave për të pranuar kushtet e tij. /Telegrafi/






