Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Arbnora Luta ka bërë të ditur se në Gjykatën Themelore të Prishtinës kanë paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile.
Të martën në fshatin Kalludër të Zubin Potokut janë gjetur mbetje mortore dhe veshmbathje që dyshohet se iu përkasin intelektualëve të zhdukur të Mitrovicës, ndërsa lidhur me këtë ditë janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Dy të arrestuarit dyshohen për përfshirje në vrasje, maltretim dhe dëbim të popullsisë civile.
E Luta në një deklaratë tha se Prokuroria Speciale është e përkushtuar që ta hetojë këtë rast dhe t’i zbardhë të gjitha rrethanat e tij, por sipas saj, për shkak të procedurës hetimore, në këtë fazë nuk mund të ndajnë më shumë informacione.
“Po ashtu, nuk mund të komentojmë procesin që është duke u zhvilluar rreth gërmimeve në komunën e Zubin Potokut. Çdo konfirmim mund të bëhet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe identifikimit nga institucionet kompetente. Andaj kolegë të nderuar, iu bëjmë thirrje të gjithëve, publikut, mediave, që të ruhen nga publikimi i çdo informacioni të pakonfirmuar, në shenjë respekti ndaj viktimave, identitetit të tyre, familjarëve të tyre dhe të këtij procesi hetimor”, tha ajo në një deklaratë për media.
Tutje, zëdhënësja Luta njoftoi se këtë proces është duke e udhëhequr Prokuroria Speciale. /Telegrafi/





