Bebe Rexha ishte e ftuara e radhës në emisionin e njohur amerikan “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon”, ku dhuroi një performancë energjike me një kombinim të dy këngëve të saj më të reja, “New Religion” dhe “Sad Girls”.
Këngëtarja shqiptaro-amerikane u shoqërua në skenë nga një grup balerinësh, duke sjellë një performancë të frymëzuar nga atmosfera e klubeve të natës. Ajo e nisi interpretimin me një pjesë të shkurtër të “New Religion”, për t’ia lënë më pas vendin hitit “Sad Girls”.
Të dyja këngët janë pjesë e albumit të saj më të fundit, “Dirty Blonde”, i cili shënon projektin e parë të Bebe Rexhës si artiste e pavarur.
– YouTube youtu.be

“New Religion”, e publikuar në muajin mars, ishte gjithashtu kënga e parë që artistja lansoi nën etiketën e saj muzikore, ndërsa “Sad Girls”, një bashkëpunim me producentin dhe DJ-in e njohur David Guetta, u publikua në muajin maj.
Duke folur për domethënien e “Sad Girls”, Bebe Rexha tha se kënga u dedikohet të gjithë atyre që vazhdojnë të ecin përpara edhe në momentet më të vështira.
Bebe Rexha në emisionin e Jimmy Fallon (Foto: Bebe Rexha/Instagram)
“‘Sad Girls’ është për këdo që ka qenë ndonjëherë në pistën e vallëzimit me zemër të thyer dhe ka refuzuar të dorëzohet. Mund të mos jesh mirë, por vazhdon të vallëzosh dhe të kujdesesh për veten. Kjo është një nga gjërat më të fuqishme që mund të bësh në ato momente”, u shpreh ajo.
Publikimi i albumit “Dirty Blonde” shënoi një kapitull të ri në karrierën e artistes, pasi erdhi vetëm pak muaj pasi ajo i dha fund bashkëpunimit shumëvjeçar me shtëpinë diskografike Warner Music.
Bebe Rexha në emisionin e Jimmy Fallon (Foto: Bebe Rexha/Instagram)
Pas ndarjes nga kompania, Bebe Rexha nënshkroi një marrëveshje me Empire, një kompani e pavarur e shpërndarjes muzikore, duke fituar më shumë liri krijuese në realizimin e projekteve të saj.
Artistja ka treguar se ky album ka një rëndësi të veçantë për të.
“‘Dirty Blonde’ u bë shumë më i rëndësishëm për mua sesa e kisha imagjinuar. Puna për këtë album si artiste e pavarur më kujtoi pse u dashurova me muzikën që në fillim. Kisha lirinë t’u besoja instinkteve të mia, të merrja rreziqe dhe të krijoja diçka që ndihet plotësisht e imja. ‘Dirty Blonde’ jam unë në formën time më të vërtetë: e sinqertë, pa kërkuar falje dhe e lirë”, deklaroi Bebe Rexha. /Telegrafi/





