Komuna e Vitisë ka njoftuar se ka nisur edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “N’Karadak Krisin Tupanat”, një ngjarje kulturore që promovon trashëgiminë shpirtërore, dialogun ndërkulturor dhe miqësinë ndërmjet popujve.
Në kuadër të hapjes së festivalit u mbajt tryeza e rrumbullakët dhe ceremonia solemne, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, organizatorë, artistë dhe mysafirë nga vende të ndryshme të botës.
Sipas njoftimit të Komunës së Vitisë, në hapje të festivalit drejtori i tij, Arsim Abazi, u ka uruar mirëseardhje pjesëmarrësve dhe mysafirëve, duke falënderuar institucionet mbështetëse, partnerët dhe të gjithë kontribuuesit që ndër vite kanë ndihmuar në zhvillimin e këtij aktiviteti kulturor.
Në emër të Komunës së Vitisë, në këtë ngjarje mori pjesë kryetari Sokol Haliti, i shoqëruar nga drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti.
Haliti ka vlerësuar se është një nder i veçantë që Vitia është nikoqire e këtij festivali, duke mirëpritur artistë dhe ansamble folklorike nga vende të ndryshme të botës.
“Për disa ditë me radhë, Vitia shndërrohet në një pikëtakim të kulturave, traditave dhe miqësive, ku ritmet, vallet, kostumet tradicionale dhe vlerat shpirtërore të shumë kombeve bashkohen në një atmosferë të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Haliti.
Sipas tij, festivali nuk është vetëm një aktivitet artistik, por një urë që lidh popujt, promovon dialogun ndërkulturor dhe dëshmon rolin e kulturës si gjuhë universale që bashkon njerëzit.
Në edicionin e pestë të festivalit marrin pjesë ansamble nga Panamaja, Peruja, Polonia, Portugalia, Turqia, Meksika, Qiproja Veriore, Egjipti, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, duke e fuqizuar karakterin ndërkombëtar të kësaj ngjarjeje.
Komuna e Vitisë ka bërë të ditur se do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet kulturore dhe promovimin e trashëgimisë, duke e konsideruar kulturën si një element të rëndësishëm të identitetit dhe zhvillimit të komunitetit.
Festivali “N’Karadak Krisin Tupanat” do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me program të pasur artistik e kulturor, duke sjellë në Viti traditat dhe folklorin e shumë vendeve të botës. /Telegrafi/






