Mbrojtësi kosovar Liridon Berisha ishte një nga protagonistët e ndeshjes mes Vaduzit dhe Luganos, por jo në rolin e tij të zakonshëm.
28-vjeçari u detyrua të kalonte në portë në minutat e fundit të takimit, pasi portieri i Vaduzit, Leon Schaffran, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 82-të, ndërsa skuadra kishte kryer tashmë të pesë zëvendësimet.
Berisha veshi dorezat e portierit, fanellën jeshile dhe zuri vendin mes shtyllave, në një situatë krejtësisht të papritur.
“Nuk mund ta planifikosh një gjë të tillë. Nuk e mbaj mend herën e fundit kur kam luajtur në portë. Ndoshta kur isha pesë ose gjashtë vjeç dhe vëllai im më gjuante topin”, tha ai me humor pas ndeshjes.
Berisha pati fat që në provën e parë si portier. Një goditje dënimi e Anto Grgic u përplas në traversë, ndërsa më pas ai reagoi mirë edhe në disa raste të tjera, përfshirë një ndërhyrje në kohën shtesë, kur një krosim i Carbone përfundoi në cepin e sipërm të portës.
Pavarësisht përpjekjeve të tij, Vaduz nuk arriti ta shmangte humbjen 2-1 ndaj Luganos në ndeshjen e parë të sezonit, duke e nisur me disfatë rikthimin në elitën e futbollit zviceran pas pesë vitesh mungesë.
Pas ndeshjes, Berisha u shpreh i zhgënjyer me rezultatin, duke theksuar se skuadra e tij kishte bërë paraqitje të mirë.
“Sigurisht që meritonim më shumë, sepse duhej të kishim kaluar në epërsi që në pjesën e parë. Dy golat i pësuam nga goditjet nga këndi dhe duhet të marrim përgjegjësi për këtë. Në të ardhmen duhet të jemi më agresivë dhe më të kujdesshëm në mbrojtje”, deklaroi ai.
Trajneri i Vaduzit, Marc Schneider, mbrojti ekipin e tij pas humbjes. “Ky ishte një paraqitje e mirë dhe e guximshme. Golat e tillë mund të ndodhin, sidomos kur përballesh me lojtarë të fuqishëm si Mai, Papadopoulos dhe Bichsel”, tha ai.
Sa i përket kartonit të kuq të Schaffranit, Schneider e cilësoi vendimin si të ashpër, edhe pse pranoi se portieri ndërhyri me vonesë ndaj sulmuesit të Luganos, Dereck Moncada, dhe vendimi i gjyqtarit ishte i drejtë.
Edhe pse nuk është portier, Berisha e përfundoi ndeshjen pa pësuar gol si ruajtës i portës.
Ai shpreson që një situatë e tillë të mos përsëritet, por është i gatshëm të ndihmojë ekipin nëse do të jetë e nevojshme.
“Shpresoj të mos më duhet ta bëj përsëri, por nëse ekipi ka nevojë, do t’i vesh sërish dorezat”, përfundoi mbrojtësi kosovar. /Telegrafi/






