Kosova dhe Franca kanë nënshkruar të hënën pesë marrëveshje që synojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme.
Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit të Deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, i cili u prit në takim nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Palët nënshkruan një letër qëllimi për themelimin e Komunitetit Kosovaro-Francez në mbështetje të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, marrëveshjen administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, Marrëveshjen për ndihmë juridike të ndërsjellë në çështje penale, si dhe Marrëveshjen për ekstradimin.
Po ashtu, u nënshkrua edhe Marrëveshja e kredisë me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), e cila lidhet me financimin e projektit për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Katër marrëveshjet e para u nënshkruan nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, dhe ministri francez Benjamin Haddad, ndërsa Marrëveshja e kredisë u nënshkrua nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, dhe ministri Haddad. /Telegrafi/





