“Po e them hapur”, Xavi zbulon destinacionin e tij të ardhshëm

Sport

Xavi Hernandez ka zbuluar se është i interesuar të vazhdojë karrierën si trajner i një kombëtareje, dy vjet pasi u largua nga drejtimi i Barcelonës. Ish-mesfushori legjendar kaloi pak më pak se tri sezone në stolin e klubit katalunas, përpara se të shkarkohej në maj të vitit 2024 pas një serie rezultatesh negative dhe një […]

Madhësia e shkronjave

Xavi Hernandez ka zbuluar se është i interesuar të vazhdojë karrierën si trajner i një kombëtareje, dy vjet pasi u largua nga drejtimi i Barcelonës.

Ish-mesfushori legjendar kaloi pak më pak se tri sezone në stolin e klubit katalunas, përpara se të shkarkohej në maj të vitit 2024 pas një serie rezultatesh negative dhe një sezoni pa trofe. Megjithatë, gjatë periudhës së tij në Camp Nou ai arriti ta shpallte Barcelonën kampione të La Ligës në sezonin 2022/23, si dhe fitoi Superkupën e Spanjës.

Që nga largimi nga Barcelona, Xavi nuk ka marrë drejtimin e asnjë skuadre, ndërsa tani ka bërë të ditur se preferon të punojë me një përfaqësuese sesa të rikthehet në futbollin e klubeve.

Në një intervistë për RNE, 45-vjeçari tha se angazhimi me një kombëtare do t’i mundësonte të kalonte më shumë kohë me familjen.

“Hapi im i radhës mund të jetë një kombëtare. Po e them hapur: kjo mund të jetë zgjedhja e duhur për mua”.

“Kam familje. Një klub nuk do të më lejonte të kaloja aq shumë kohë me ta, pasi kam fëmijë të vegjël”.

“Dua të marr pjesë si trajner në një Kupë Bote, Kampionat Evropian, Kupën e Kombeve të Afrikës ose Kupën e Azisë”, deklaroi Xavi.

Para se të merrte drejtimin e Barcelonës, Xavi drejtoi Al Saddin në Katar, ku fitoi shtatë trofe. Si futbollist, ai ishte pjesë e kombëtares së Spanjës që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010.

Në krye të Barcelonës, Xavi zhvilloi 143 ndeshje, duke regjistruar 90 fitore, 24 barazime dhe 29 humbje, me një përqindje fitoreje prej 62.9 për qind./Telegrafi/