Kylian Mbappe humbi një tjetër penallti në ndeshjen e Francës ndaj Marokut, duke e çuar në 15 numrin e goditjeve të dështuara nga pika e bardhë gjatë karrierës së tij.
Sulmuesi francez pati mundësinë ta kalonte Francën në epërsi në minutën e 28-të, pasi gjyqtari Facundo Tello akordoi penallti për “Gjelat” dhe e konfirmoi vendimin edhe pas rishikimit në VAR.
Megjithatë, Mbappe nuk arriti ta mposhtë portierin Bono. Ylli i Francës provoi ta dërgonte topin në këndin e poshtëm të djathtë, por portieri maroken e lexoi saktë goditjen dhe e ndali penalltinë.
Pavarësisht se konsiderohet një nga sulmuesit më të frikshëm të futbollit modern, Mbappe tashmë numëron 15 penallti të humbura në karrierë. Ai renditet në vendin e nëntë në listën e futbollistëve me më së shumti penallti të humbura që nga viti 2001.
Në krye të kësaj liste ndodhet Cristiano Ronaldo, i cili ka humbur 36 penallti gjatë karrierës. Pas tij renditet Lionel Messi me 34, ndërsa Neymar ka dështuar në 22 raste nga pika e bardhë.
Lista vazhdon me Ciro Immobile, që ka humbur 19 penallti, Francesco Totti me 18, Zlatan Ibrahimovic me 17, Ronaldinho dhe Edinson Cavani me nga 16, ndërsa Antonio Di Natale dhe Sergio Aguero kanë dështuar nga 14 herë.
Megjithatë, numri i madh i penalltive të humbura lidhet edhe me faktin se këta futbollistë kanë marrë shpesh përgjegjësinë në momentet vendimtare.
Ronaldo, Messi, Neymar dhe Mbappe kanë shënuar dhjetëra gola nga pika e bardhë, por edhe më të mëdhenjtë nuk janë të pagabueshëm nga 11 metra. /Telegrafi/






