Shqipëria ka fituar medaljen e parë të artë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, falë mundësit Islam Dudaev, i cili triumfoi të hënën në kategorinë deri në 74 kilogramë, në stilin e lirë.
Dudaev e fitoi finalen ndaj mundësit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Fati Vejseli. Finalja u ndërpre pasi Vejseli pësoi lëndim, ndërsa Dudaev ishte në epërsi në momentin e ndërprerjes, duke siguruar kështu medaljen e artë për Shqipërinë.

Dudaev, me prejardhje nga Dagestani i Rusisë, që nga viti 2022 garon nën flamurin e Shqipërisë. Ai tashmë ka një medalje të bronztë olimpike, medalje të artë dhe të bronztë evropiane, si dhe medalje të artë dhe të bronztë nga Lojërat Mesdhetare.
Për Fati Vejselin, mundësin shqiptar nga Shkupi, medalja e argjendtë përbën një tjetër sukses të rëndësishëm në karrierën e tij.
Medalje të argjendtë Shqipëria ka fituar me Zelimkhan Abakarov, një tjetër mundës me prejardhje nga Dagestani. Abakarov u mposht në finalen e kategorisë deri në 65 kilogramë në stilin e lirë nga turku Ahmet Duman, me rezultat 4:2.
Shqipëria kishte siguruar të dielën edhe një medalje të bronztë në mundje, në stilin greko-romak, me mundësin Ardit Zeneli.
Kështu, Shqipëria tashmë numëron tri medalje në “Taranto 2026”: një të artë, një të argjendtë në stilin e lirë, si dhe një të bronztë në garat e mundjes. /Telegrafi/





