Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në prezantimin e Raportit të Përgjithshëm mbi Inspektimet për vitin 2025, të përgatitur nga Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Në fjalën e tij, Kurti tha se Qeveria dhe Kuvendi, gjatë mandatit të kaluar, hodhën bazat e reformës së sistemit të inspektimeve përmes miratimit të Ligjit për Inspektimet, duke shtuar se raporti i prezantuar dëshmon përparim në zbatimin e kësaj reforme.
“Sot jemi mbledhur për të diskutuar Raportin e përgjithshëm mbi inspektimet për vitin 2025, në të cilin evidentohet progres i dukshëm në zbatimin e kësaj reforme”, tha Kurti.

Ai theksoi se reforma synon modernizimin dhe rritjen e efikasitetit të inspektorateve, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, me fokus mbrojtjen e interesit publik, shëndetit, sigurisë dhe mjedisit.
Sipas Kurtit, inspektimet janë një mekanizëm i rëndësishëm për zbatimin e ligjit në praktikë.
“Inspektimet nuk janë vetëm një çështje teknike apo administrative; ato janë një nga mënyrat më konkrete përmes të cilave shteti i drejtë tregon se ligji nuk është fjalë në letër, por standard që vlen në treg, në vendin e punës, në ushqimin që konsumojmë, në produktet që blejmë, në shërbimet që i marrim dhe në mjedisin ku jetojmë”, u shpreh ai.
Kurti tha se reforma parasheh një qasje të re ndaj bizneseve, ku subjektet me rrezik më të lartë dhe ato që shkelin vazhdimisht ligjin do të përballen me kontrolle më të shpeshta dhe masa më të rrepta, ndërsa bizneset që respektojnë ligjin do të kenë procedura më të thjeshtuara dhe më pak barrë administrative.
Ai përmendi edhe themelimin e Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm, ngritjen e statusit të inspektorateve qendrore në agjenci ekzekutive, si dhe krijimin e sistemit digjital “e-Inspektimi”, i cili synon të rrisë efikasitetin dhe transparencën në punën e inspektorëve.
Në fund, kryeministri në detyrë theksoi se reforma është pjesë e përpjekjeve për forcimin e shtetit ligjor dhe luftimin e korrupsionit.
“Qeverisja jonë e ka pasur dhe vazhdon ta ketë të qartë: korrupsioni luftohet jo vetëm duke ndëshkuar rastet kur ato ndodhin, por duke ndërtuar sisteme që i zvogëlojnë mundësitë për arbitraritet, pazare, ndërhyrje dhe trajtim të pabarabartë”, deklaroi Kurti. /Telegrafi/





