Pushimet e hidratimit, një nga risitë më të diskutuara të Kupës së Botës 2026, po rezultojnë të jenë edhe një burim i madh të ardhurash për industrinë e reklamave.
Një nga përfituesit më të mëdhenj është legjenda angleze David Beckham, i cili, sipas Daily Mail, ka arkëtuar miliona euro falë reklamave që transmetohen gjatë këtyre ndërprerjeve.
Pushimet e detyrueshme të hidratimit zhvillohen në të dyja pjesët e ndeshjes dhe zgjasin nga tre minuta. Edhe pse janë kritikuar nga shumë tifozë dhe analistë si një element i pazakontë për futbollin, ato janë shfrytëzuar nga transmetuesit televizivë për të shfaqur blloqe reklamash me vlerë të lartë.
Beckham, fytyra kryesore e markave globale
David Beckham, i cili së fundmi u përfshi në listën e multimiliarderëve të Sunday Times Rich List 2026, është protagonist i disa fushatave publicitare për kompani të njohura ndërkombëtare.
Marka si Pepsi, McDonald’s, Lay’s, Stella Artois, Home Depot, Bank of America, Verizon dhe Adidas e kanë zgjedhur ish-kapitenin e Anglisë si ambasador të tyre gjatë Kupës së Botës, duke përfituar nga popullariteti i tij global.
Sipas një analize të Daily Mail, që citon Patrick Rishe, drejtor i biznesit sportiv në Universitetin e Uashingtonit, Beckham ka fituar rreth 25 milionë euro vetëm nga reklamat e transmetuara gjatë pushimeve të hidratimit në Botëror.
“Ky është një tregues i famës së tij globale, vlerës së tij komerciale dhe popullaritetit që vazhdon të ketë në mbarë botën”, ka deklaruar Rishe.
Ai shtoi se Beckham mbetet një nga figurat më të fuqishme të marketingut sportiv.
“Është një nga yjet e rrallë globalë që mund të përfaqësojë një gamë kaq të gjerë markash. Ai është menjëherë i dallueshëm dhe gëzon një imazh shumë pozitiv”, u shpreh profesori.
FIFA mohon se pushimet u vendosën për arsye financiare
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka hedhur poshtë pretendimet se pushimet e hidratimit janë futur për të rritur të ardhurat nga reklamat.
“Arsyeja kryesore është nxehtësia. Gjithashtu duhet të kuptojmë se një turne si Kupa e Botës zgjat 39 ditë dhe skuadrat mund të zhvillojnë deri në tetë ndeshje. Është shumë e rëndësishme që futbollistët të kenë një moment për t’u hidratuar dhe për të pushuar”, tha Infantino.
Ai theksoi se FIFA nuk përfiton të ardhura shtesë nga këto ndërprerje.
“Nuk ka të ardhura shtesë për FIFA-n, sepse të gjitha kontratat tregtare janë nënshkruar shumë kohë më parë. Për ne është më e rëndësishme që të gjitha ekipet të luajnë në kushte të barabarta”, përfundoi kreu i FIFA-s. /Telegrafi/






