Aktorja Gresa Gashi ka reaguar përmes një videoje në TikTok ndaj komenteve dhe paragjykimeve që kanë shoqëruar vendimin e Xhuli Nurës për t’u bërë nënë e vetme.
Në videon e publikuar, Gashi u shpreh se nuk e kupton pse njerëzit vazhdojnë të gjykojnë zgjedhjet personale të të tjerëve, duke theksuar se secili ka të drejtë të vendosë për jetën dhe trupin e vet.

“Pashë Zotin, a po ma tregon dikush pse sa herë që dikush merr një vendim për jetën e vet, ne duhet të ulemi në kafe e ta paragjykojmë? Gruaja ka vendosur të bëhet nënë e vetme, lëreni, është jeta e saj. Jemi në vitin 2026 dhe ende paragjykoni. Jemi në liri, në demokraci. Njeriu bën çfarë dëshiron me trupin dhe jetën e vet”, tha ajo.
Aktorja theksoi se vendime të tilla nuk merren brenda natës, por kërkojnë shumë mendim dhe guxim.
Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 3 ngriti edhe një pyetje për ata që kritikojnë zgjedhjen e Xhulit, duke vënë në dukje se një fëmijë mund të rritet me dashuri edhe nga një prind i vetëm.
“Çka është më mirë? Një fëmijë që rritet vetëm me nënën dhe me dashuri, apo me të dy prindërit, por në dhunë e tradhti? Lërini njerëzit të jetojnë jetën si të duan. Mund të mos pajtoheni me zgjedhjen e saj, por kjo nuk ju jep të drejtën ta ofendoni, ta gjykoni apo ta poshtëroni”, theksoi tutje.
Reagimi i Gresës ka nxitur diskutime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës e kanë mbështetur mesazhin e saj për respektimin e zgjedhjeve personale dhe ndalimin e paragjykimeve. /Telegrafi/





