“Jam sinqerisht shumë i penduar”, me këto fjalë, trajneri Hong Myung-bo dha dorëheqjen të dielën, vetëm pak orë pasi u konfirmua eliminimi i Koresë së Jugut nga Kupa e Botës 2026.
Largimi i legjendës së futbollit korean, kapitenit të ekipit që arriti gjysmëfinalet historike të Botërorit 2002, është vetëm fillimi i një vale ndryshimesh që pritet të përfshijë futbollin e vendit. Ikona tjetër e futbollit korean, Park Ji-sung, nuk i kurseu kritikat.
“Është e dhimbshme që kemi mbërritur në një pikë ku duhet të pyesim veten se si përfunduam në këtë situatë”, deklaroi ish-mesfushori i Manchester United.
Situata është përshkallëzuar aq shumë sa mediat koreane raportojnë për kërcënime me vdekje ndaj Hong Myung-bo, ndërsa autoritetet mbajtën sekret vendndodhjen dhe orarin e kthimit të lojtarëve dhe stafit në Korenë e Jugut për arsye sigurie.
Eliminimi në fazën e grupeve ishte vetëm kulmi i një krize që kishte kohë që po ziente.
Koreja e Jugut e nisi turneun me një fitore premtuese 2-1 ndaj Republikës Çeke, por më pas humbi 1-0 ndaj Meksikës.
Kjo e detyroi ekipin të kërkonte të paktën një barazim ndaj Afrikës së Jugut për të siguruar kualifikimin.
Në vend të kësaj, trajneri Hong la në stol kapitenin Son Heung-min, ndërsa skuadra zhvilloi një nga paraqitjet më të dobëta në historinë moderne.
Ish-mbrojtësi i Tottenhamit, Lee Young-pyo, e cilësoi atë si “ndeshjen më të keqe të një kombëtareje koreane në shekullin XXI”.
Pas humbjes, një gazetar pyeti trajnerin nëse ekipi kishte pësuar helmim ushqimor, pasi ishte e vështirë të gjendej një shpjegim për atë performancë.
Atmosfera në kampin korean ishte tensionuar edhe më herët gjatë turneut. Disa gazetarë vendas u dëgjuan duke bërë shaka me shërbimin ushtarak të Son Heung-min.
Sulmuesi kishte përfituar përjashtimin nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak 21-mujor pasi fitoi medaljen e artë me Korenë e Jugut në Lojërat Aziatike 2018.
Si reagim ndaj komenteve, futbollistët bojkotuan për disa ditë aktivitetet me mediat vendase.
Son, i cili mbush 34 vjeç në korrik, mund të jetë pranë fundit të karrierës me kombëtaren. Ceremonia e planifikuar e mirëseardhjes në aeroportin Incheon u anulua për arsye sigurie, megjithëse zemërimi i tifozëve është drejtuar kryesisht ndaj drejtuesve të futbollit dhe jo lojtarëve.
Kriza mori përmasa kombëtare kur Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae-myung, reagoi publikisht përmes rrjeteve sociale.
Ai deklaroi se eliminimi ishte “jo vetëm zhgënjyes, por edhe tronditës”, duke e cilësuar atë si rezultat të “dështimit organizativ dhe të menaxhimit të personelit”.
“Kur favorizimi dhe lidhjet personale vendosen mbi meritën në përzgjedhjen e drejtuesve, rezultati është po aq i parashikueshëm sa letra që digjet nga zjarri”, shkroi presidenti.
Në qendër të kritikave ndodhet presidenti i Federatës Koreane të Futbollit, Chung Mong-gyu, i cili emëroi Hong Myung-bo në korrik 2024 duke anashkaluar procedurat e zakonshme të përzgjedhjes, njësoj siç kishte bërë më parë me Jurgen Klinsmann.
Vendimi shkaktoi protesta që në ndeshjen e parë të Hong si trajner, ndërsa pakënaqësia nuk u shua kurrë.
Madje edhe Ministria e Sportit zhvilloi një hetim ndaj federatës dhe rekomandoi pezullimin e Chung dhe disa zyrtarëve të tjerë.
Megjithatë, ai arriti të fitojë një mandat të katërt në krye të federatës në shkurt 2025, pasi siguroi një vendim gjykate në favor të tij.
Në maj, Chung kishte njoftuar se do të largohej pas përfundimit të Kupës së Botës.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për polemikat dhe kritikat gjatë mandatit tim. Të gjitha burojnë nga mangësitë e mia”, kishte deklaruar ai.
Gjatë presidencës së Chung, Koreja e Jugut ka humbur terren ndaj rivalit historik, Japonisë.
Dikur ishte Koreja ajo që udhëhiqte futbollin aziatik. K League u krijua në vitin 1983 si liga e parë profesionale në Azi, plot dhjetë vjet përpara J League japoneze, ndërsa klubet koreane dominonin kompeticionet kontinentale.
Në tetor, Brazili mposhti Korenë e Jugut 5-0 në Seul, ndërsa pak ditë më vonë humbi 3-2 ndaj Japonisë në Tokio. Në mars, Koreja u mund 4-0 nga Bregu i Fildishtë, ndërsa Japonia bëri histori duke mposhtur Anglinë 1-0 në “Wembley”, si kombëtarja e parë aziatike që arrin një sukses të tillë.
Klubet japoneze dominojnë tashmë rivalët koreanë në garat aziatike dhe eksportojnë më shumë futbollistë në elitën europiane.
Një tifoz korean e përmblodhi situatën në rrjetet sociale:
“Japonia punon me një vizion 100-vjeçar ku të gjithë ecin në të njëjtin drejtim, ndërsa Koreja e Jugut kalon nga një trajner te tjetri sipas dëshirës së një njeriu që nuk di asgjë për futbollin”.
Me trajnerin të larguar, presidentin e federatës në largim dhe kërkesat për reforma që po shtohen çdo ditë, shumë analistë besojnë se dështimi në Kupën e Botës 2026 mund të shërbejë si pika e kthesës për një nga fuqitë tradicionale të futbollit aziatik. /Telegrafi/






