Zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ pret përfundimin e afatit për ankesa para certifikimit

Nacionale

Ndonëse procesi zgjedhor në Kosovë po i afrohet përmbylljes dhe pritet certifikimi i rezultateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka theksuar se është në pritje të përfundimit të afatit për paraqitjen e ankesave. Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklaratë për Telegrafin. Ai ka theksuar se […]

Madhësia e shkronjave

Ndonëse procesi zgjedhor në Kosovë po i afrohet përmbylljes dhe pritet certifikimi i rezultateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka theksuar se është në pritje të përfundimit të afatit për paraqitjen e ankesave.

Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklaratë për Telegrafin.

Ai ka theksuar se afati i ankesave përmbyllet sot (e hënë, 29 qershor 2026) në ora 12:00.

“Nëse nuk do të ketë ankesa, KQZ është e gatshme për të proceduar me certifikimin e rezultateve përfundimtare dhe përmbylljen e procesit zgjedhor sa i përket kësaj pjese. Ndërkaq, në rast se do të ketë ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, do të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit”, ka deklaruar Elezi.

Sipas KQZ-së, procesi i certifikimit do të vazhdojë varësisht nga zhvillimi i procedurave ankimore në institucionet përkatëse.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, pasi paraprakisht Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë ankesat e dy kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për deputetë, që kërkonin rinumërimin e votave të kandidatëve nga radhët e kësaj partie.

Pro shpalljes së rezultatit përfundimtar kanë votuar të gjithë anëtarët e KQZ-së, prezentë në mbledhje.

Bazuar në të, shpërndarja e ulëseve në Kuvend mbetet e njëjtë, sikur ajo e kalkuluar nga rezultati i numërimit edhe të votave të shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.13 për qind të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend, Partia Demokratike 19.44 për qind, përkatësisht 22 ulëse, Lidhja Demokratike 16.69 për qind, përkatësisht 18 ulëse, ndërsa Aleanca me 6.74 për qind, që ia kanë siguruar 7 ulëse në Kuvend. 20 ulëse të tjera janë ndarë mes partive të komuniteteve. /Telegrafi/