Liverpool raportohet se është gati të paraqesë ofertën e parë për mbrojtësin e Rayo Vallecano, Andrei Ratiu, gjatë afatit kalimtar veror.
Trajneri Andoni Iraola tashmë ka marrë mbështetjen financiare të klubit për transferimin e Victor Munoz nga Osasuna, ndërsa synon të rikthehet sërish në tregun e La Ligës për të përforcuar repartin defensiv.
Liverpooli tashmë ka në dispozicion Jeremie Frimpong dhe Conor Bradley për krahun e djathtë të mbrojtjes, por tani është lidhur edhe me një lëvizje për transferimin e Rațiut, i cili vlerësohet si një nga mbrojtësit më të nënvlerësuar në elitën e futbollit spanjoll.
28-vjeçari ka zhvilluar 102 ndeshje me Rayo Vallecanon që nga transferimi i tij tre vite më parë dhe ka qenë një nga lojtarët më të qëndrueshëm të skuadrës.
Sipas SportsBoom, edhe pse Frimpong pritet të mbetet zgjedhja e parë në krahun e djathtë sezonin e ardhshëm, Iraola dëshiron konkurrencë më të fortë për vendin e titullarit dhe beson se Rațiu ka cilësitë për të bërë hapin drejt Premier League.
Nuk është ende e qartë se çfarë ndikimi do të kishte ky transferim në të ardhmen e Bradleyt.
Rațiu ka përvojë të madhe ndërkombëtare, duke regjistruar 38 paraqitje me kombëtaren e Rumanisë. Ai është shpallur më parë ‘Futbollisti Rumun i Vitit’ dhe luajti një rol kyç në rrugëtimin e Rayo Vallecanos drejt finales së Ligës së Konferencës më herët këtë vit, ku skuadra spanjolle u mposht nga Crystal Palace.
Iraola besohet se e konsideron rumunin një mundësi me raport shumë të mirë cilësi-çmim në tregun aktual dhe një lojtar që mund të kontribuojë rregullisht në skuadër.
Raporti shton se Rayo Vallecano synon të përfitojë rreth 29 milionë euro për kartonin e mbrojtësit të djathtë, ndërsa klubi spanjoll ndodhet në një pozitë të favorshme për të këmbëngulur në kërkesat e tij financiare./Telegrafi/






