Dy turistë ukrainas janë shpëtuar sot në zonën e Ksamilit, pasi rrezikuan të mbyteshin në det për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe erërave të forta.
Sipas Policisë Kufitare, ndërhyrja është realizuar nga shërbimet e Njësisë Speciale Delta, të cilat ndodheshin me shërbim në mbështetje të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.

Gjatë patrullimit në det, efektivët konstatuan një mjet lundrues tip skaf të marrë me qira nga turistët, i cili po rrezikonte të fundosej si pasojë e motit të keq dhe dallgëve të forta. Në bord ndodheshin dy shtetas ukrainas.
Policia ndërhyri menjëherë, duke bërë të mundur shpëtimin e dy turistëve, të cilët u nxorën të sigurt në breg dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, po vijon puna për nxjerrjen e mjetit lundrues nga uji.
Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe turistëve në hapësirat detare të vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.





