Real Madridi fillon operacionin “fshesa” – njëri nga këta dy yje rrezikon seriozisht largimin nga klubi

Sport

Afati kalimtar i Real Madridit është në kulmin e aktivitetit dhe gjithçka tregon se vera do të sjellë më shumë lëvizje sesa pritej, veçanërisht në repartin e mesfushës. Largimi i Dani Ceballos, i cili sipas raportimeve tashmë është drejt finalizimit, mund të jetë vetëm hapi i parë i një operacioni më të gjerë brenda skuadrës […]

Madhësia e shkronjave

Afati kalimtar i Real Madridit është në kulmin e aktivitetit dhe gjithçka tregon se vera do të sjellë më shumë lëvizje sesa pritej, veçanërisht në repartin e mesfushës. Largimi i Dani Ceballos, i cili sipas raportimeve tashmë është drejt finalizimit, mund të jetë vetëm hapi i parë i një operacioni më të gjerë brenda skuadrës madrilene.

Pas transferimeve të Marc Cucurella, Denzel Dumfries, Bernardo Silva dhe Ibrahima Konate, drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se do të nevojiten edhe largime të rëndësishme për të balancuar skuadrën, si në aspektin numerik ashtu edhe në faturën e pagave.

Real Madridi ka bërë një investim të konsiderueshëm gjatë dy afateve të fundit kalimtare. Vetëm verën e kaluar, klubi shpenzoi rreth 200 milionë euro për transferimet e Dean Huijsen, Alvaro Carreras, Franco Mastantuono dhe Trent Alexander-Arnold.

Trajneri Jose Mourinho ka një kërkesë të qartë për drejtuesit: afrimin e një mesfushori të klasit të lartë, i aftë të mbulojë shumë hapësirë në fushë, të ndihmojë ekipin në të dyja fazat e lojës dhe të organizojë aksionet me vizion. Në listën e objektivave kryesorë ndodhen Enzo Fernandez i Chelseat dhe Mateus Fernandes i West Hamit.

Sipas gazetarit Jose Felix Diaz, lojtari që aktualisht ndodhet në situatën më delikate është Eduardo Camavinga. Mesfushori francez ka humbur gradualisht rolin e tij në skuadër dhe sezonin e kaluar luajti vetëm rreth 43 për qind të minutave të mundshme, një shifër e ulët për një futbollist që konsiderohej pjesë kyçe e projektit.

Një tjetër emër që po përmendet është Aurelien Tchouameni, megjithëse rasti i tij është ndryshe. Ish-mesfushori i Monacos zhvilloi një nga sezonet e tij më të mira individuale, pavarësisht se skuadra nuk arriti të fitonte trofe.

Tchouameni vazhdon të ketë vlerësim të lartë në tregun evropian dhe një shitje e mundshme do t’i sillte Real Madridit përfitime të konsiderueshme financiare. Klubi pagoi 80 milionë euro për transferimin e tij në vitin 2022 dhe, ashtu si në rastin e Camavingas, një largim me ofertën e duhur do të krijonte hapësirë për afrimin e mesfushorit të kërkuar nga Mourinho.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse përplasja e fundit mes Tchouamenit dhe Fede Valverdes do të ketë ndonjë ndikim në vendimet e klubit. Megjithatë, sipas burimeve pranë Real Madridit, çështja konsiderohet e mbyllur dhe e zgjidhur brenda grupit./Telegrafi/